E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ: Kush shkel vizën, dëbohet për 5 vjet

Diplomacia shqiptare, fushatë sensibilizuese në prag të liberalizimit të vizave

Nëse një qytetar shqiptar do të shkelë kushtet e liberalizmit të vizave, duke qëndruar më shumë se tre muaj në një vend europian, atëherë ai nuk do të lejohet në BE për pesë vjet dhe do të gjobitet. Ky ishte paralajmërimi që erdhi dje nga ana e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në hapje të fushatës sensibilizuese për liberalizimin e vizave, proces që pritet të ndodhë këtë vit. Gjatë një konference të organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri(EMA) dhe Ministria e Punëve të Jashtme, sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Gazmend Turdiu, foli mbi të drejtat dhe detyrat që kanë shqiptarët në kuadër të këtij procesi. “Qytetarët duhet ta kenë të qartë së liberalizimi i vizave ka të bëjë me një qëndrim në vendin që viziton jo më shumë se tre muaj. Kjo nuk do të thotë mundësi studimi afatgjatë dhe as bashkimi familjar”, deklaroi Turdiu. Në këtë kuadër ai theksoi se nëse qytetari shqiptar shkel detyrimet e këtij procesi, atëherë në bazë të marrëveshjes së ripranimit ai kthehet në vendin e tij dhe rrezikon të mos shkelë më në atë vend për një periudhë 5-vjeçare, shoqëruar dhe me gjobat përkatëse. “Nëse qytetarit i nevojitet të qëndrojë më shumë se tre muaj në një vend të Bashkimit Europian, atëherë sërish duhet të drejtohet në ambasadë, ku pajiset me vizë të tipit D”, shpjegoi zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme. Po kështu, Turdiu vuri në dukje se Shqipëria ndodhet në hapat përmbyllës të procesit të liberalizimit të vizave dhe se është e nevojshme që për këtë proces kaq të rëndësishëm mos të mungojë sensibilizimi nga ana e qeverisë. Sipas tij, fushata për qytetarët do të jetë e mirorganizuar dhe koordinuar nga qeveria shqiptare, duke synuar shpërndarjen e informacionit te çdo qytetar shqiptar, deri në zonat më të largëta të vendit. “është e rëndësishme të urojmë të shijojmë sa më shpejt frytet e regjimit pa viza me BE dhe njëkohësisht u bëjmë thirrje për të treguar maturi dhe respekt ndaj të drejtave dhe detyrimeve që sjell liberalizimi i vizave”, deklaroi Turdiu. Nga ana tjetër, shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacionit në Delegacionin e Bashkimit Europian, Thomas Von Handel, deklaroi se Shqipëria ka bërë progres në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave. Po kështu, ai u shpreh se përfshirja e të gjithë aktorëve të shoqërisë në informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës është një element i rëndësishëm që duhet adresuar jo vetëm në qendrat e mëdha të banuara, por edhe jashtë tyre. Po kështu, në këtë tryezë këndvështrimi i institucioneve të BE-së, si Komisioni, Parlamenti Europian dhe perceptimi i vendeve anëtare të BE-së ndaj këtij procesi, u përcoll nga Alexandra Stiglmayer, përfaqësuesja e “European Stability Initiative” (ESI). Ajo foli në lidhje me situatën me të cilën ishin përballur vendet e BE-së, pasi tre vendet e Ballkanit Perëndimor (Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi) përfituan regjimin pa viza. Sipas saj, rritja e numrit të azilkërkuesve dhe trendi në rritje i migracionit që ka prekur këto vende, ishin disa nga efektet që solli procesi i liberalizimit të vizave. Por, përveç kësaj ajo theksoi se heqja e regjimit të vizave për tre vendet e Ballkanit Perëndimor ishte një histori suksesi që dëshmoi se liberalizimi i vizave funksionon në praktikë. Në fund, konferenca u shoqërua nga një seksion diskutimesh të hapura, ku pjesëmarrës nga trupi diplomatik, shoqëria civile, akademike dhe media diskutuan mbi këtë proces kaq shumë të përfolur.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›