E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Ku do të përqëndrohet buxheti i vitit 2010

Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se buxheti i vitit 2010 do të përqendrohet sërish në disa investime të mëdha, duke nënvizuar sërish faktin "se nuk do të ketë rritje taksash, ndërsa shprehet se ekonomia shqiptare nuk u përfshi në vorbullën e krizës dhe sot nuk ka problemet që kanë vendet afër nesh apo vende të tjera të zhvilluara."
"Ajo që ne po bëjmë në këtë fazë është të rregullojmë gjithçka ka të bëjë me kuadrin e përgjithshëm makroekonomik të vendit, që në momentin që bota është duke dalë nga kriza ne të jemi po ashtu të stabilizuar nga pikëpamja e treguesve makroekonomike", shprehet ministri i Financave.
Përsa i takon p/buxhetit për vitin që vjen Bode deklaroi se administrata është duke punuar në të gjitha dikasteret për t'a përfunduar brenda këtij muaji dhe për t'a kaluar më pas për miratim në Këshillin e Ministrave.

"Qëllimi është që kabineti aktual të përfundojë procedurat për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2010 dhe të dërgohet në Parlament për t'u miratuar në mënyrë që të mos cënohet kalendari kohor i miratimit të buxhetit 2010", vijoi Bode, ndërsa shtoi se "sigurisht, që do të ketë përqendrim dhe do të vijojë politika e moscopëzimit të buxhetit".

Sipas kreut të Financave Publike, prioritet do të jenë investimet në infrastrukturë, përshpejtimi i investimeve në sektorin e bujqësisë, ndërsa theksoi se do të vijohet me politikat për investimet në infrastrukturën rurale përmes granteve konkuruese në infrastrukturën rrugore në ujësjellësa, shkolla etj.

"Duke ruajtur një nivel të lartë investimesh të tilla do të fillojë një program i ri që ka të bëjë me përmirësimin e furnizimit me ujë të të gjitha pjesëve të territorit të vendit dhe veçanërisht të pjesës Tiranë-Durrës dhe ultësirës bregdetare që do të mbështeten nga një program i madh dhe i përqendruar investimesh dhe po punohet për ndërtimin e strategjisë për fillimin që në 2010 të këtij projekti madhor për vendin", nënvizoi Bode.

Z Bode tha njëkohësisht se ajo që do të konsolidohet në programe, që do të miratohet në Parlament në muajin shtator me formimin e qeverisë, do të jetë platforma mbi të cilën do të mbështeten programet dhe politikat buxhetore dhe ne po punojmë bashkarisht që të konsolidojmë një program qeverisës që të respektojë si prioritetet e vendit, ashtu edhe prioritetet e partive në koalicion, jo vetëm të LSI-së.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›