Bode: Buxheti i ri përfshin dhe kërkesat e LSI

Tiranë, 15 Gusht NOA Ministri i Financave Ridvan Bode thotë se në projektbuxhetin e ri që po hartohet, do të përfshihen edhe opsionet që do të hidhen apo janë pjesë e programit elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke siguruar se kjo nuk përbën ndonjë rrezik.
Këtë pohim Bode e bëri dje kur gjatë një interviste në Top Channel, iu përgjigj pyetjes: A do të përmbajë ky projektbuxhet edhe prioritetet e programit të partisë në koalicion, pra LSI-së? Nëse po, cilat do të jenë disa prej këtyre pikave?
Ministri tha se ajo që do të konsolidohet në program dhe që do të miratohet në Parlament në muajin shtator me formimin e qeverisë, do të jetë platforma mbi të cilën do të mbështeten programet dhe politikat buxhetore. Ne po punojmë bashkërisht që të konsolidojmë një program qeverisës që të respektojë si prioritet e vendit, ashtu dhe prioritetet e partive në koalicion, jo vetëm të LSI-së.
Më poshtë, ndiqni intervistën e plotë:
Kur do të jetë gati drafti për buxhetin e ri?
Administrata është duke punuar në të gjitha dikasteret për të përfunduar me projektbuxhetin e 2010-s brenda këtij muaji dhe ta kalojë për miratim në qeveri po brenda këtij muaji. Qëllimi është që kabineti aktual të përfundojë procedurat për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2010 dhe të dërgohet në Parlament për tu miratuar, në mënyrë që të mos cenohet kalendari kohor i miratimit të buxhetit 2010, çka do të thotë që tu japë kohë të gjithë përdoruesve të buxhetit që të përgatitin në kohë brenda vitit 2009 të gjitha procedurat, të gjitha projektet, politikat dhe programet që do të implementohen në vitin 2010 dhe të kemi një fillim të menjëhershëm që nga muaji janar për zbatimin e gjithë programit buxhetor për 2010-n. Pra, do të jetë ky muaj që do të finalizojë përgatitjen e projektbuxhetit dhe prezantimin e tij në Parlament, do të jetë kjo qeveri, ky kabinet që do të përfundojë procedurat e përgatitjes së buxhetit 2010, pasi kuptohet që me ndryshimin e kabinetit mund të ketë probleme, të cilat mund të vonojnë në kohë miratimin e draftit dhe paraqitjen e tij në Parlament. Projektbuxheti i 2010-s, që jemi duke punuar, kuotat, shifrat, parametrat kryesorë të tij reflektojnë prioritetet e deklaruara nga ana e qeverisë dhe që përbëjnë edhe prioritetet e vendit për zhvillimin e shpejtë ekonomiko-shoqëror dhe për një mbështetje më të madhe në investime publike në sektorë prioritarë dhe një rol aktiv i buxhetit në raport me ekonominë reale. Sigurisht që do të ketë përqendrim dhe do të vijojë politika e moscopëzimit të buxhetit, çka do të thotë avullimit të parave përmes një buxheti jo të konsoliduar dhe jo të përqendruar në projekte të mëdha. Edhe më 2010-n do të vijojmë me projekte të mëdha. Do të jenë disa shtylla. Së pari, investime në infrastrukturë, të cilat sigurisht që do të jenë pjesa kryesore e investimeve publike në buxhet. Do të kemi përshpejtim të investimeve në sektorin e bujqësisë, pra kalon një prioritet i ri në politikat tona buxhetore, do të vijojmë me politikat për investimet në infrastrukturën rurale përmes grandeve konkurruese në infrastrukturën rrugore, në ujësjellës, shkolla, duke ruajtur një nivel të lartë investimesh të tilla dhe do të fillojë një program i ri, që ka të bëjë me përmirësimin e furnizimit me ujë të të gjithë pjesëve të territorit të vendit dhe veçanërisht të pjesës TiranëDurrës dhe Ultësirës Bregdetare, që do të mbështeten nga një program i madh dhe i përqendruar investimesh dhe po punohet për ndërtimin e strategjisë për fillimin që më 2010-n të këtij projekti madhor për vendin. Pra, do të jenë këto përqendrime të mëdha që do të mundësojnë implementimin efektiv dhe efecient të buxhetit të vitit 2010. Projektet e mëdha të investimit në infrastrukturë dihen tashmë. Janë përfundimi i rrugës DurrësKukës në disa segmente, përshpejtimi i investimeve në Rrugën e Arbrit, TiranëDibër, rruga QukësQafëplloçë, përfundimi i rrugëve në drejtim të Vlorës dhe Tepelenës, pra 2 akset FierVlorë dhe LevanTepelenë. Do të fillojë më 2010-n lidhja midis Tiranës dhe Elbasanit për rritjen e përshkueshmërisë në Shqipërinë Qendrore dhe do të ketë investime të tjera, kryesisht të përqendruara në Tiranë, për të filluar unazën e Tiranës dhe për të vijuar në përqendrimet e mëdha të investimeve, të cilat janë me impakt jo vetëm shoqëror, por dhe ekonomik dhe që do të mundësojnë modernizimin e mëtejshëm të vendit nga pikëpamja infrastrukturore dhe që do të krijojnë mundësi për një zhvillim më të shpejtë në territore të caktuara të vendit.
Sa parashikohen investimet dhe a do të ketë përqendrim shpenzimesh në objekte të mëdha si në vitin 2009?
Buxheti në vetvete ruan atë trend që ne kemi miratuar në buxhetimin afatmesëm të vendit dhe ruan konturet kryesore të strategjisë për zhvillim ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë në kuadrin e programit që kemi. Vëllimi i të ardhurave do të vazhdojë të rritet në buxhet me një trend të shpejtë sikurse në vitet e kaluara, duke synuar ti afrohet rreth 28% produktit të brendshëm bruto. Të ardhurat në Buxhetin e Shtetit kryesisht nga të ardhurat tatimore do të ruajnë nivelet e shpenzimeve të buxhetit rreth 31-32% të GDP-së si projektim, investimet publike do të shkojnë deri në 7-7,5% të GDP-së, çka do të thotë rreth 1/5 e shpenzimeve. Në çdo 4-5 lekë, 1 lek do të shkojë për investime publike, përmirësimin e infrastrukturës dhe për mbështetje të zhvillimit të shpejtë ekonomiko-shoqëror të vendit.
Çfarë parashikohet në këtë projektbuxhet për sa i përket mbështetjes sociale dhe cilët sektorë janë prioritare?
Sigurisht që politikat sociale do të jenë prioritet. Në qoftë se në mandatin e parë qeverisës ne arritëm të rritim shpenzimet sociale nga 6% e GDP-së në rreth 8,7%, do të vijojmë ti përafrohemi mesatares më të mirë të të gjitha vendeve të rajonit, do të jenë të gjitha shërbimet sociale që ofron Buxheti i Shtetit, do të njohin të njëjtën rritje që kemi parashikuar gjatë mandatit të shkuar. Ajo çka është e rëndësishme në buxhetin e 2010-s është përmirësimi i përdorimit të këtyre fondeve, pra rritja e eficiencës së përdorimit të këtyre fondeve në raport me qëllimin e miratuar, çka do të thotë reformim tërësor i procedurave të asistimit social dhe mundësi për përfitim të këtyre fondeve për ata që kanë vërtet nevojë dhe rritja e këtyre fondeve për të përballuar të gjitha nevojat që kanë grupe të ekspozuara shoqërisht për një mbështetje efiçente nga ana e qeverisë, pra po të punojmë për të parë gjithë skemat dhe për të pastruar skemat nga abuziviteti apo nga përfshirja në mënyrë jo të drejtë të grupeve të caktuara në skemat e mbështetjes shoqërore. Mendojmë se rritja e fondeve, e shoqëruar dhe me një reformë të tillë, do të zbusë pasojat e varfërisë dhe të problematikës që kanë një sërë zonash apo familjesh, duke pasur më pranë ndihmë shoqërore dhe përkrahje nga ana e qeverisë.
A do të përmbajë ky projektbuxhet edhe prioritetet e programit të partisë në koalicion, pra LSI-së? Nëse po, cilat do të jenë disa prej këtyre pikave?
Ajo që do të konsolidohet në program dhe që do të miratohet në Parlament në muajin shtator me formimin e qeverisë, do të jetë platforma mbi të cilën do të mbështeten programet dhe politikat buxhetore. Ne po punojmë bashkërisht që të konsolidojmë një program qeverisës që të respektojë si prioritet e vendit, ashtu dhe prioritetet e partive në koalicion, jo vetëm të LSI-së.
A rrezikon që program