E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Ndarja e posteve në PD, nuk kam asnjë propozim zyrtar

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, tregon detajet e punës së komisionit për ndryshimet statutore. Si kryetar i këtij komisioni, Bode sqaron se deri tani nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për ndarjen e posteve qeveritare nga ato partiake. Sipas njeriut që kontrollon sekretariatin e PD-së, është Kuvendi kombëtar ai që vendos për çështje të tilla dhe jo deklaratat e individëve. Disa ditë më parë, një tjetër anëtar i kryesisë, njëkohësisht pjesë e këtij komisioni për ndryshimet statutore, Fatos Beja deklaroi publikisht se është pro ndarjes së posteve partiake nga forumet e partisë. Ky komision drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, dhe përbëhet nga anëtarët Ilir Rusmali, Fatos Beja, Albana Vokshi dhe Gerti Bogdani. Përplasja e dy qëndrimeve të kundërta brenda të njëjtit komision do të sjellin vazhdimësinë e debateve deri në ditën e mbajtjes së Kuvendit kombëtar, nga i cili do të vendoset për statutin e ri dhe do të zgjidhen 100 anëtarët e Këshillit Kombëtar. Më pas do të jetë kompetenca e këtij këshilli kombëtar që do të vendosë për dy pikat më të debatuara në statut, ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare dhe për aplikimin e parimit, një anëtar, një votë. Publikisht, kryetari i këtij komisioni, i cili mban postin e ministrit të Financave dhe atë të sekretarit të përgjithshëm, bën me dije se asnjë kërkesë zyrtare nuk ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike, ku janë ngritur edhe grupet e punës. Për ndryshimet në statut synohet përshtatja e funksionimit dhe organizimit të partisë me sistemin e ri zgjedhor, me qëllim maksimilizimin e votës. Sekretari i përgjithshëm, Bode, tha se "ndryshimet në statut do të bëhen njësoj me ndryshimet e partisë popullore europiane".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›