E Diel, 1 Nëntor 2026

Fajon: Vizat hiqen nëse qeveria zbaton kushtet deri në dhjetor

Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, relatorja e rezolutës për liberalizimin e vizave në Parlamentin Europian, ka deklaruar dje në Tiranë se Shqipëria e ka në dorë marrjen e lajmit të mirë në pranverën e vitit të ardhshëm, por gjithçka varet nga tri gjëra: Rikthimi i dialogut politik, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit dhe pavarësia e institucioneve. Duke folur në një takim të zhvilluar dje në kryeqytetin shqiptar në lidhje me hapat e fundit drejt heqjes përfundimtare të barrierave për Shqipërinë, Fajon deklaroi shumë qartë se "edhe pse kriteret që duhet të përmbushen nga Shqipëria janë teknike, gjithsesi vendimi i Komisionit Europian dhe më pas ai i Këshillit të Ministrave është politik". Duke sjellë rastin e Serbisë që edhe pse nuk i përmbushi totalisht udhërrëfyesin ajo mori lajmin e mirë, pasi qeveria tregoi vullnet të qartë për zbatimin e kushteve, eurodeputetja Fajon deklaroi se marrja e vendimit pozitiv është në dorën e qeverisë shqiptare, e cila duhet të plotësojë kushtet e kërkuara, ku mbi të gjitha janë kriteret politike. Dhe në kriteret politike, dialogu mes mazhorancës dhe opozitës mbetet thelbësori. Zonja Fajon theksoi se në fillim të vitit të ardhshëm Komisioni Europian do të marrë në provë arritjet e Shqipërisë në zbatimin e udhërrëfyesit. Eurodeputetja sllovene është shprehur se nuk është optimiste se mund të përmbushen kushtet për një kohë të shkurtër, por e rëndësishme tha ajo është që të ketë një vendosmëri për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke dhënë prova konkrete të një vullneti politik. Kurse, kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka përsëritur frazën e një delegacioni që erdhi para disa ditësh "na ndihmoni që t‘ju ndihmojmë". "Shqipëria ka formuluar strategji për integrimin, por autoritetet shqiptare duhet të jenë më aktive për realizimin e këtyre strategjive dhe duhet të shkojnë përtej zbatimit të strategjive. Duhet një bashkëpunim midis agjencive të zbatimit të ligjit", theksoi ambasadori Lohan. BE kërkon një konsolidim të shtetit demokratik. "Ne do të ndjekim çdo hap që do të hedhë Shqipëria", theksoi mes të tjerash kryediplomati i Brukselit.

Ndërsa zv.kryeministri shqiptar dhe njëkohësisht shefi i diplomacisë, Ilir Meta, deklaroi se duhen vendosur të gjithë faktorët nën emëruesin e përbashkët të përshpejtimit të procesit integrues të vendit në Bashkimin Europian. Meta gjithashtu nënvizoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit, duke u ndalur në ecurinë konkrete në katër blloqet e tij, të cilat janë reflektuar në raportin përfundimtar, që u dorëzua dje pranë Komisionit Europian. Etion Kapedani, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, i kërkoi Komisionit Europian që testin për plotësimin e kushteve ta bëjnë nëpërmjet metodës sasiore të krahasimit të të dhënave dhe jo me lidhje të shkurtër. Duke përmendur çështjen e pastrimit të parave, Kapedani theksoi se komisioni duhet të krahasojë të gjitha çështjet sipas sasisë që ne kemi shqyrtuar. Ndërsa organizatorët e takimit, Iniciativa Europiane për Stabilitet dhe Lëvizja Europiane publikuan një raport mbi treguesit që Shqipëria ka plotësuar dhe ato që nuk i ka plotësuar ende. Të shënuar me të kuqe ishin treguesit për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe për pastrimin e parave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›