E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Në vitin 2010, granti për vendorët ulet me 10%

Ministri i Financave, Ridvan Bode, analizoi dje buxhetin e ri të shtetit dhe prioritetet e qeverisë për vitin 2010. Lidhur me protestat e opozitës për autonominë e pushtetit vendor,

ministri Bode i cilësoi ato si keqinterpretime. "Në vitin 2009 i kemi dhënë në formën e granteve 5.5 miliardë lekë. Në vitin 2010 granti i krahasuar me vitin 2009 do të jetë 10% më i ulët", tha Bode. Ministri shtoi se paratë që qeveria i jep nga grantet, pushteti lokal po i jep për paga dhe shpenzime operative, të cilën Bode e cilëson si mënyrë abuzimi. "Numri i punonjësve në qeverinë qendrore shkon duke u ulur, numri i punonjësve në bashki dhe komuna vjen duke u rritur", tha ai. Ministri Bode u shpreh se pagat në Bashkinë e Tiranës në vitin 2005 kanë qenë 628 milionë lekë dhe janë 900 milionë lekë në vitin 2009 në Bashkinë e Tiranës. Shefi i Financave të Shqipërisë tha se për gjashtëmujorin e këtij viti rritja ekonomike është në parametrat 5.3%. Ministri Bode bëri një panoramë të situatës në vendin tonë krahasuar me vendet e botës, duke e lidhur këtë edhe me krizën ekonomike. Bode foli edhe për zhvlerësimin e lekut, forcimin e euros në vendin tonë, por edhe kreditë e këqija. "Përqindja e kredive të këqija në sistemin bankar shqiptare është katër herë më e ulët se sa në vendet e rajonit dhe nuk mund të jetë shqetësues për bankat", tha Bode. Sipas tij, rritja relative e disa kredive të këqija lidhet me ekspansionin. Shqipëria ka rritje pozitive ekonomike dhe ka performim pozitiv për sa u takon të ardhurave buxhetore. Për vitin 2009, të ardhurat buxhetore realizohen 96-97%. "Ne rritëm shpenzimet buxhetore të vitit 2009 duke përdorur të ardhurat e privatizimit", tha Bode. Lidhur me borxhin e brendshëm, ministri Bode tha se ai është rritur për shkak të kursit të këmbimit dhe kjo rritje është shumë e ulët. "Këtë vit rritim me 1.5-2% borxhin publik dhe Shqipëria është ndër të paktat vende që ka një borxh publik nën 60%", tha ai. Ministri i Financave bëri me dije se viti 2010 do të jetë një vit më i qetë. Nga ana tjetër, ministri Bode tha se niveli i deficitit buxhetor në vitin 2009 është më i ulët se sa viti 2008. Prioritet i qeverisë për vitin 2010 është ndërtimi i infrastrukturës rrugore. Për vitin 2009, prioritet ishte rruga Durrës-Kukës, ndërsa për vitin 2010 është sërish në pamje të parë infrastruktura rrugore. Investimet publike zënë 9.8% të prodhimeve të brendshme bruto. "Akset e infrastrukturës të territoreve, si rruga Tiranë-Elbasan do të fillojnë punimet në vitin 2010, si dhe vijimi i rrugës së Arbrit", tha Bode.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›