E Diel, 1 Nëntor 2026

Miklau: Qeveria ka ndikuar fuqishëm në disa vendime të gjyqësorit

Kreu i misionit të Bashkimit Europian për drejtësinë "Euralius", Roland Miklau, ka lëshuar deklarata të forta kritikuese ndaj qeverisë për presionin që ajo i bën gjyqësorit. Në një intervistë dhënë për radion "Deutsche Welle", juristi austriak që prej kohësh po ndihmon drejtësinë shqiptare deklaroi se "ajo që misioni ynë mund të vëzhgojë është që deklaratat publike nga anëtarët e qeverisë, ka të ngjarë, që të kenë ndikim në vendimet që marrin gjykatësit. Për gjykatësit në Shqipëri situata nuk është tërësisht e sigurt për një sërë arsyesh: ka inspektime selektive, arbitraritet, ka mundësi për trajtime jo të ndershme, jo të barabarta brenda sistemit. Pra, ka pasiguri dhe kjo shkallë pasigurie mund të çojë në sjellje, që jo gjithmonë janë të parashikueshme". Një qëndrim ky që për të parën herë është bërë publik, por që realisht është thënë në takimet me ekzekutivin dhe drejtësinë nga ekspertët e "Euralius". Ky mision ka dhënë ndihmesë të madhe për gjyqësorin në vend dhe ka hartuar shumë prej ligjeve të rëndësishme që bëjnë pjesë në shtyllën e "reformës në drejtësi". Por në më shumë se një rast, qeveria shqiptare nuk i ka ndjekur këshillat e ekspertëve, edhe pse ata paguhen nga BE për të implementuar përvojën më të mirë në vendin tonë. Kreu i misionit "Euralius", duke iu referuar ndërhyrjeve të politikës në drejtësi, thekson më tej se "në Shqipëri ka grupe të ndryshme që i bëjnë gjërat herë-herë të vështira, ka ndikim të politikës dhe sistemi i drejtësisë nuk është i çliruar nga ndikimi i politikës, gjë që ndodh edhe në vende të tjera, nuk po flas për Afrikën apo Amerikën Latine, por në kontekstin europian, Shqipëria është një vend në zhvillim".

Sipas tij, kjo situatë ndikon në sjelljen e gjyqtarëve dhe ka një lloj rreziku që ata të shmangen nga vendime që kërkojnë kurajë dhe të preferojnë mënyrat formale për të shpjeguar procesin gjyqësor. Kur e sheh vendimin e gjyqtarëve, ai të duket shumë profesional, shumë teknik, por në thelb nuk është një vendim i ndershëm dhe nuk konsiderohet i pranuar nga palët e interesuara si një vendim i ndershëm". Në fakt, kjo deklaratë përbën një qëndrim të rëndë ndaj disa vendimeve për të cilat ka pasur akuza ndaj qeverisë shqiptare. Një shembull janë edhe dy vendimet e Gjykatës së Lartë për të përjashtuar nga gjykimi ministrat Mediu e Basha, të cilët janë akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme. Misioni "Euralius" në Shqipëri ka qenë determinuar në kohën e përplasjes mes qeverisë dhe prokurorisë për hartimin e ligjit mbi organin e akuzës, por edhe për draftin e administratës gjyqësore. Por edhe pse ekspertët e Bashkimit Europian kanë vënë "gishtin mbi plagë" më shumë se një herë, por është injoruar nga qeveria. Në lidhje me korrupsionin në drejtësi, z. Roland Miklau deklaroi se "korrupsioni nuk mund të zhduket 100 për qind, ai ekziston edhe në vende të tjera europiane, por është e domosdoshme të ulet niveli i tij, që qytetarët e Shqipërisë të kenë ndjesinë që shumica e proceseve gjyqësore marrin një gjykim të ndershëm, të paanshëm, objektiv, të mbështetur në ligj dhe në përputhje me standardet europiane".

Y. Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›