E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Paratë e mosrealizimit të investimeve do iu shkojnë ish-pronarëve

Të gjitha paratë që do të mbesin pa u realizuar nga investimet e parashikuara të qeverisë për këtë viti do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë të ditur dje se këtë vit nuk do të lejohet asnjë tepricë apo një mosrealizim investimesh si vitet e kaluara, por të gjitha ato do të kalojnë për Komisionin e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronarëve. Sasia e investimeve të parashikuara për këtë vit është më shumë se 700 milionë dollarë dhe deri më tani janë realizuar rreth 26 për qind e kësaj vlere ose rreth 170 milionë dollarë. Ministri i Financave saktësoi se për këtë gjë janë duke u marrë masat në mënyrë që brenda dhjetorit të këtij viti, kur qeveria të bëjë rialokime (rishpërndarje) të fondeve (në rast se do të jetë e nevojshme) të gjitha paratë e mosrealizimeve të kalojnë në zërin e kompensimit të ish-pronarëve. Brenda dhjetorit do të shihet qartë se sa do të jetë vlera e parave që mund të disbursohen dhe që do të shkojnë në duar të kompanive që kanë fituar tenderat për kryerjen e punëve të caktuara publike. I tërë disbursimi i këtyre parave do të varet nga ecuria e punëve, pasi dihet që paratë jepen pas përfundimit të punimeve. Prej vitesh i vetmi projekt, në të cilin punimet kryhen sipas afateve dhe madje edhe më përpara tyre, është vetëm rruga Durrës-Kukës, ndërsa të gjitha projektet e tjera kanë probleme me afatet. Pjesa më e madhe e parave për investime janë parashikuar të shkojnë në rrugë dhe është e sigurt se veç rrugës Durrës-Kukës, e cila me siguri do të tërheqë paratë e përcaktuara në buxhet, rrugët e tjera, ajo Levan –Tepelenë, Levan- Vlorë, Bulqizë- Bllacë, rruga e bregut të Jonit etj., do ta kenë shumë të vështirë të përdorin të gjitha paratë e caktuara në buxhet. Realizimi i investimeve ka qenë një sëmundje e vjetër në Shqipëri dhe dy vitet e fundit me gjithë një përmirësim të lehtë përsëri shifra e realizimit nuk i ka kaluar 80 %. Qeveria ka qenë e detyruar edhe në 2006, edhe në 2007 të bëjë rialokime fondesh në muajin e fundit. Këtë vit shenjat janë të njëjta, duke parë se vlera e investimeve është shumë e lartë krahasuar me vitet e kaluara dhe realizmi i 6-mujorit të parë nuk i kalon 26 %. Nuk e është qartë se ç’do të bëjë qeveria, nëse mosrealizimet do të kapin një vlerë parash që mund të kalojë 100 milionë dollarët. Duhet thënë se vitin e kaluar qeveria rishpërndau rreth 150 milionë dollarë për shkak të mosrealizimeve. Kompensimi për ish-pronarët është një detyrim i qeverisë shqiptare. Ajo ka caktuar në buxhet vetë 5 milionë dollarë për ta, një shifër jashtëzakonisht e papërfillshme krahasuar me nevojën, me gjithë kushte e vështira të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›