E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Kastrati”, Ibrahim Geca denohet me 20 vjet burg, ndryshoi deshmine



Laureta Rryçi

Tiranë - Të pranosh statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe më pas të heqësh dorë, të kushton shtrenjtë. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda ka qenë një paralajmërim për të gjithë ata që fillimisht pranojnë të rrëfehen dhe më pas pendohen. Ky është fati i Ibrahim Gecës, ku për heqje dorë nga statusi i bashkëpunëtorit të Drejtësisë mbi vrasjen e Behar Kastratit u dënua me 20 vite burg. Askush më parë nuk është ndëshkuar me kaq vite burg. Ndërkohë, Gjykata ka qenë më dorëlëshuar me një nga vëllezërit Rexha të cilët janë cilësuar si autor të vrasjes së mjekut nga Hasi më 7 korrik të vitit 2005. Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj gjykoi që Qamil Rexha të dënohej me burgim të përjetshëm, ndërsa vëllai i tij Abedini me 25 vite burg. Pasi u risoll edhe njëherë ngjarja e ndodhur plot tre vite më parë, Kolegji Penal cilësoi si motiv të ngjarjes vdekjen e vëllait të Rexhëve.
Kërkesa
Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata i ka ulur pesë vite vetëm Ibrahim Gecës, ndërsa për dy vëllezërit ka lënë në fuqi të njëjtën masë dënimi të kërkuar. Një dënim me “burgim të përjetshëm” dhe 50 vite burg ka kërkuar dy seanca më parë në gjykatë për tre të pandehurit Qamil Rexha, Abedin Rexha dhe Ibrahim Geca të akuzuar për “rrëmbimin dhe më pas vrasjen” e mjekut Behar Kastrati. Kërkesa u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga prokurori i çështjes Eugen Beci, i cili ka paraqitur konkluzionet përfundimtare të gjykimit për të pandehurin. Në kërkesën e tij prokurori kërkoi “shpalljen fajtor të tre të pandehurve dhe dënimin e tyre përkatësisht “burgim të përjetshëm” për Qamil Rexhën dhe nga 25 vite burg për secilin nga dy të pandehurit e tjerë Abedin Rexha dhe Ibrahim Geca. Tre të pandehurit akuzohen së në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë rrëmbyer dhe më pas kanë vrarë mjekun Behar Kastrati, i cili ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike në Has. Kastrati u rrëmbye mbrëmjen e 7 korrikut të vitit 2005, ndërsa trupi i tij u gjet 40 ditë më vonë në ujërat e liqenit në afërsi të fshatit Kolsh.
Procesi
Procesi ndaj vëllezërve Rexha dhe Ibrahim Gecit ka nisur prej një viti në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Që në momentin e arrestimit e deri më tani vëllezërit Rexha nuk e kanë pranuar akuzën duke u shprehur se nuk kishin asnjë motiv për të realizuar një vrasje të tillë. Ndërkohë procesi ka pasur dhe dëshmitarë ndryshe nga proceset e zakonshme. Në një nga seancat dëshmoi dhe ministri i Transportit, Sokol Olldashi. Ky i fundit u pyet për njohjen që kishte me vëllezërit Rexha dhe ditët që i kishte takuar a përkonin me ditën e zhdukjes së mjekut nga Hasi. Ndërkohë që në seancat e para kanë dëshmuar edhe dëshmitarë të tjerë, midis tyre dhe të afërm të viktimës.

Versioni i prokurorisë

Në datën 08.07.2005, në orën 11.30, Policia Gjyqësore e Komisariatit të Policisë së Hasit është njoftuar nga shtetasi Flamur Kastrati se që nga mbrëmja e datës 07.07.2005 nuk është paraqitur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e vëllait të tij, Behar Kastrati, i datëlindjes 1964, i biri i Faikut dhe i Sadijes, lindur në Brrut Has dhe banues në qytetin e Krumës. Humbja e kontaktit me të ka ndodhur që prej orës 23:30 të datës 07.07.2005 e në vazhdim. Me datën 27.08.2005, në fshatin Kolsh të rrethit të Kukësit, në rrugën automobilistike Kukës-Tiranë dhe pikërisht në vendin e quajtur “Ura e Kolshit”, pesë metra nga këmba e katërt e urës dhe 8 metra nga bregu verior i liqenit, u zbulua një kufomë e zhytur në ujë, ku dallohej pjesa e prapme e kokës dhe shpina. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes gjatë nxjerrjes së kufomës, u konstatua se kufoma ishte lidhur në dy shtylla betoni nëpërmjet telave të shtyllës dhe një litari në qafë, trung dhe këmbë. Nga veprimet hetimore të kryera më tej, rezultoi se kufoma e gjetur i përkiste shtetasit Behar Kastrati. Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera është bërë e mundur që të merren të dhëna të dobishme për hetimin e kësaj çështjeje, në lidhje me implikimin e mundshëm të tre shtetasve si autorë të rrëmbimit me pasojë vdekjen e shtetasit Behar Kastrati. Më konkretisht rezulton se personat e implikuar janë shtetasit Qamil Rexha, lindur në Krumë dhe banues në Durrës, Abedin Rexha, lindur në Krumë dhe banues në Durrës, si dhe shtetasi Ibrahim Geci, lindur në Krumë, Has. Në kuadër të veprimeve hetimore është arritur të përcaktohet dhe motivi i kryerjes së këtij krimi nga tre autorët e sipërpërmendur. Motivi ka të bëjë me vdekjen e vëllait të Qamil dhe Abedin Rexhës, shtetasit Gani Rexha, në vitin 1995, i cili ka vdekur nga infarkti i miokardit në Spitalin Civil të Krumës. Si shkaktar për këtë vdekje, vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexha kanë bërë mjekun Behar Kastrati, i cili ditën kur ka vdekur Gani Rexha ka qenë mjek roje dhe nuk ka qenë në detyrë. Provohet se pas kësaj ngjarjeje, mes të dyshuarit Qamil Rexha dhe viktimës Behar Kastrati për këtë shkak ka pasur një konflikt, i cili ka avancuar me goditjen që Qamili i ka bërë Beharit në publik.

Akuzat zyrtare për tre të pandehurit

1. Qamil Rexha, i biri i Sahitit dhe i Hates, lindur me 22.12.1957 në Golaj, Has, banues ne Katundin e Ri, Durrës, i dënuar më parë, hetuar me masë sigurimi "Arrest me burg", i
akuzuar për kryerjen e veprës penale të "Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasoje vdekjen të kryer në bashkëpunim", parashikuar nga Neni 1093 e 25 i Kodit Penal
2. Abedin Rexha, i biri Sahitit dhe i Hates, lindur me 12.09.1962, lindur ne Shpërdhet, Krujë, banues ne Katundin e Ri Durrës, i rehabilituar, hetuar në masë sigurimi "Arrest ne burg", i akuzuar për kryerjen e veprës penale të "Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim", parashikuar nga Neni 1093 e 25 i Kodit Penal.
3. Ibrahim Geci, i biri i Dervishit dhe i Hamites, lindur me 31.10.1956 dhe banues ne Krume, Has, i padënuar më parë, i hetuar në masë sigurimi "Arrest ne burg", i akuzuar për kryerjen e veprës penale të "Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasoje vdekjen të kryer në bashkëpunim", parashikuar nga Neni 1093 e 25 i Kodit Penal si dhe për veprën penale "Mbajtje pa leje e armëve luftarake", "Mbajtje pas leje të municioneve dhe lëndëve plasëse", parashikuar nga Nenet 2782 e 3 i Kodit Penal.

23 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›