Bode: Rritja ekonomike pozitive, arrin në 3.3 %

Komisioni i Ekonomisë diskuton buxhetin faktik të vitit 2011 – për dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve për dy vite janë paguar afro 6,5 miliardë lekë Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se ekonomia shqiptare është rritur pozitivisht, ndërsa borxhi publik kap shifrën prej 59.4 për qind. Gjatë diskutimit të buxhetit faktik për 2011-ën në komisionin parlamentar të Ekonomisë, kreu i financave publike theksoi se gjatë këtij viti është bërë e mundur mbledhja e të ardhurave nga buxheti i shtetit. Në fjalën e tij përpara deputetëve, Bode vuri në dukje se buxheti faktik i vitit 2011, nga pikëpamja e realizimit shënon një sërë arritjesh. Disbursimi vjetor i këtij buxheti ka pasur për bazë vlerësimin e performancës së institucioneve në përdorimin e fondeve publike në përputhje me programin dhe projektet e miratuara në Kuvend. Ndonëse në një kontekst global të paqëndrueshëm dhe aspak të favorshëm, sipas Ministrit të Financave ekonomia shqiptare konfirmoi dinamizmin e saj dhe trendin pozitiv në krahasim me ekonomitë rajonale dhe globale. Në terma konkretë, rritja ekonomike vlerësohet në 3,1 për qind, me një kërkesë të kënaqshme të brendshme dhe të jashtme. Gjithsesi, kërkesa e jashtme ka pësuar rënie gjatë vitit 2011 për shkak të kontekstit ekonomik global dhe zhvillimeve ekonomike jo pozitive në vendet partnere të Shqipërisë. Inflacioni mesatar ka mbetur në nivelin 3,5 për qind, tregu i punës ka shënuar një rritje prej 1,7 për qind, ndërkohë që papunësia është ulur në nivelin 13,3 për qind. Treguesit ekonomikë mbeten pozitivë krahasuar me parametrat e përkeqësuar të vendeve të tjera. Sipas Ministrit Bode ekonomia mbetet e stabilizuar, ashtu si edhe trendi i import-eksporteve. Në lidhje me sektorin financiar, ka pasur gjithashtu zhvillime pozitive, ndonëse niveli i kredive të këqija mbetet problem. Deficiti fiskal është ulur gjatë vitit 2011, ndërsa shpenzimet buxhetore kapitale kanë qenë më të larta se huamarrja neto, me një diferencë prej 5,4 për qind. Duke u ndalur në këtë pikë, Ministri i Financave vuri në dukje se këto janë tregues pozitivë të normës së lartë të investimeve financiare të realizuara nëpërmjet të ardhurave korrente nga taksat dhe tatimet. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për vitin 2011 tregojnë një rritje me 12,5 miliardë lekë, ndërkohë që rritje është shënuar edhe në shpenzimet publike në sektorë prioritarë si shëndetësia dhe arsimi. Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, theksoi se ekonomia shqiptare po përballet me shumë probleme. “Tërheqim vëmendjen për defiçifin buxhetor, por duhet të bëhet kujdes edhe me borxhin publik. Niveli i borxhit publik është në limitet e vendosura”, theksoi Malaj. Ndër të tjera Ministri i Financave Bode nënvizoi se qeveria shqiptare nuk bën shoë, por ajo është prekur nga zhvillimet dramatike në eurozonë. Deputeti i opozitës Arben Ahmetaj replikoi se buxheti i vitit të kaluar nuk rriti vetëm borxhin zyrtar, por edhe atë të fshehur që qeveria ka ndaj privatëve. “Duhet të rimbursohen bizneset dhe vlera është 8 miliardë, plus 4 miliardë tatim fitimi, që e çon borxhin ndaj biznesit të certifikuar në 12 miliardë. Nëse kësaj shume i shtojmë faturat e papaguara, borxhi shkon në 200 milionë euro”, nënvizoi Ahmetaj. “Nëse ne i themi dikujt që ke për investime 10 miliardë, atëherë ai nuk mund të kontraktojë punime për 30 miliardë lekë dhe kjo është jashtë kapaciteteve dhe mundësive që mund të ketë Ministria e Financave për pushtetin qendror dhe lokal”, u përgjigj ministri Bode. Ministri i Financave u shpreh kundër uljes së borxhit në këto momente, pasi, siç u shpreh ai, po ta bësh këtë do të thotë që të shkosh në krizë të sigurt, ndërkohë që shtoi se në këto kushte nuk mund të ulim deficitin. “Të pretendosh, në një periudhë kur ka ulje të kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme, uljen e deficitit me ritme të forta do të thotë të shkosh drejt një krize të sigurt”, replikoi ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas ministrit, fatura e papaguar e TVSH-së së rimbursueshme nga tatimet për biznesin është rreth 8 miliardë lekë. Gjatë punimeve në këtë komision ka raportuar dhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i cili propozoi nevojën e amendimeve kushtetuese në mënyrë që borxhi publik të mos e kalojë nivelin e 60 për qind. I ftuar në Komisionin e Ekonomisë për buxhetin faktik të shtetit në vitin 2011, zoti Leskaj nënvizoi se KLSH vlerëson punën e bërë nga qeveria në drejtim të konsolidimit të treguesve ekonomikë dhe fiskalë. Duke vërejtur se deficiti buxhetor është rritur dhe borxhi publik luhatet nga 57,8 për qind në 58,3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Leskaj tha se KLSH sugjeron marrjen e masave parandaluese që çojnë drejt trendit të uljes së borxhit publik. Duke iu referuar edhe përvojës së vendeve të Eurozonës, Leskaj propozoi që masat parandaluese të përfshijnë edhe ndryshimet kushtetuese për moslejimin e borxhit publik mbi nivelin 60 për qind. Duke argumentuar propozimin e tij, kreu i KLSH-së vuri në dukje se fiksimi i borxhit publik në këtë nivel siguron avantazhe në politikat makroekonomike dhe fiskale; rrit stabilitetin ekonomik, ulet probabiliteti i transformimit të riskut të ekonomisë në risk social; nxit ruajtjen e papunësisë në nivele të menaxhueshme; përmirëson imazhin ekonomik të vendit në arenën ndërkombëtare dhe i përgjigjet kapaciteteve ekonomike që vendi ka aktualisht për sa i përket suportimit të borxhit publik. Në përfundim të diskutimeve, Komisioni për Ekonominë dhe Financat e miratoi projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2011” dhe u shpreh dakord për kalimin e tij në seancë plenare.
...