E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Realizimi i reformave, parësore për integrimin”

09-10-2012 / Gazeta 55

Shqipëria pranë marrjes së statusit të vendit kandidat, ambasadori i BE, Ettore Sequi ripërsërit apelin ndaj klasës politike
 
“Realizimi në kohë i reformave nga ana e politikës është në interesin më të mirë të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë”. Ky ka qenë qëndrimi i ripërsëritur i ambasadori të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. I pranishëm në konferencën, ku u publikua raporti qytetar për monitorimin e zbatimit të planit të veprimit për adresimin e 12 prioriteteve të Komisionit Europian nga qeveria shqiptare, ambasadori Sequi kërkoi nga drejtuesit politik që vënë përpara interesave partiake, reformat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, Sequi vlerësoi rëndësinë e madhe që ka angazhimi dhe inkurajimi i politikës në përmbushjen e reformave, të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit.
“Ne besojmë se progres-raporti do të jetë si gjithmonë i besueshëm dhe objektiv. Sigurisht ai do të përmbajë pëlqime dhe kritika, por progres-raporti nuk duhet të përdoret për luftë politike, por si dokument që na çon te adresimi i problemeve dhe si t’i zgjidhim ato. Është një udhërrëfyes për reformat që i duhen vendit, është një nxitje për klasën politike për të ecur përpara, për të përmbushur me kurajo angazhimet që Brukseli kërkon. Pra inkurajimi i im për ju është të jeni produktiv dhe Bashkëpunues. Tashmë që na kanë mbetur dhe vetëm dy ditë nga publikimi i progres-raportit, e kam bërë edhe njëherë tjetër ketë pyetje. Do të jetë Rasti që këtë herë të shohim njëri-tjetrin në si dhe të themi ne kishim vizionin por na mungoi vullneti për të përmbushur detyrimet, ne kishim vullnetin por na mungoi vizioni i duhur, apo do të shohim njëri-tjetrin në sy dhe do të themi që ne e patëm mundësinë dhe e shfrytëzuam atë sepse e trajtuam çështjen e integrimit si një synim kombëtar”, u shpreh Sequi.
Zëvendësministri i Integrimit, Hoxha: Shoqëria Civile evidenton arritje pozitive
Zëvendësministri i Integrimit, Edmond Hoxha, u shpreh dje, gjatë publikimit të raportit qytetar për monitorimin e zbatimit të planit të veprimit për adresimin e 12 prioriteteve të Komisionit Evropian se, “raporti në përgjithësi evidenton arritjet pozitive, që është gati dyfishi i arritjeve të krahasuara me vitin 2011”.
Sipas tij, Ministria e Integrimit shpreson që kjo situatë është akoma më pozitive se kaq, sidomos në disa nga prioritetet, siç është prioriteti 9, ku sipas raportit, evidentohet që në 2012 është punuar më pak se në 2011, por që është totalisht e kundërta.
“Në 2012 bashkëpunuam më shumë se në 2011 sa i takon luftës kundër korrupsionit. Kjo mospërputhje vjen për shkak të mungesës së informacionit apo mospërditësimit të tij”, tha ai.
Po kështu, vijoi Hoxha, nga një vështrim i shpejtë në grafikun nr. 3 nuk janë paraqitur prioritetet 2 dhe 3 që janë të plotësuara në masën 100 për qind. Gjithashtu, shtoi Hoxha, “megjithëse në raport thuhet se ky dokument është marrë me prioritetin 4 dhe 5 në këtë kuadër duhet të ishte përfshirë miratimi i kodit zgjedhor. Raportin e vlerësojmë si një kontribut shumë pozitiv. Sot jemi dy ditë para daljes së raportit të KE, i cili është dhe raporti real për Shqipërinë, që bazohet mbi burime të ndryshme dhe do të jetë ai që do të vendosë lidhur me vendimin që do të merret për Shqipërinë. Ne do e studiojmë me vëmendje raportin e përgatitur nga SOROS, do të shohim rekomandimet që nuk patëm kohë t’i shohim për shkak të vonesës, por gjithsesi rekomandimet e shoqërisë civile janë të mirëpritura nga ministria e Integrimit”, deklaroi më tej zëvendësministri i Integrimit, Edmond Hoxha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›