E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazeta “Panorama” feston 10 vjetorin e themelimit - Berisha vlerëson maturinë e saj në tregun mediatik

09-10-2012 / Gazeta 55

E përditshmja “Panorama” kremtoi dje 10 vjetorin e themelimit të saj, përmes një ceremonie festive të organizuar në ambientet e Hotel “Rogner”, në Tiranë.
Mes 600 të ftuarve gazetarë, analistë, kontribuues, s’kanë munguar as emrat e politikës dhe të jetës publike në Shqipëri. Në festën e organizuar nga Hysenbelliu Group, kanë marrë pjesë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kreu i LSI-së, Ilir Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe deputetë të opozitës dhe mazhorancës. “Është e para që e lexoj në mëngjes. Edhe 10 vjet të tjerë më profesionale”, u shpreh ministri i Inovacionit, Genc Pollo.
Kryeministri, Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama kanë uruar ditëlindjen me anë të video-mesazheve, pasi për shkak të impenjimeve të paracaktuara nuk kanë patur mundësi të marrin pjesë në festën e organizuar dje pasdite. “Urimet më të përzemërta, shëmbëllen si një 25 vjeçare, pra një gazetë e maturuar, falë përkushtimit, profesionalizimit dhe drejtimit të saj, e cila ia ka dalë të zërë një vend qendror në shtypin e shkruar shqiptar. Ndaj dhe unë me këtë rast në këtë 10 vjetor, përcjell urimet e mia më të mira për të gjithë stafin, të gjithë ata që me editorialet e tyre, me analizat kanë kontribuar në këtë gazetë në shtypin shqiptar”, tha kryeministri Berisha.
Ndërsa kreu i opozitës, Edi Rama e cilësoi Panorama-n si zërin e të gjithëve. “Larmishmëria dhe aksesi i të gjitha pikëpamjeve është më i rëndësishëm. Rëndësi ka që të ketë zë për të gjithë, dhe veshët të mos dëgjojnë të njëjtin zë”, tha ai.
E cilësuar si gazeta më e madhe në vend, në përfundim, premtimi i Panorama-s është se, gjithmonë do ndjekë rrugën e profesionalizimit dhe respektit për lexuesit e më gjerë, thuhet në një njoftim të publikuar në faqen online të së përditshmes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›