E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krenarë që Shqipëria kryeson Këshillin e Ministrave të KiE

09-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri takon në Strasburg studentë e drejtues të Shkollës Politike të Tiranës dhe Prishtinës

Në përfundim të vizitës së tij në Këshillin e Evropës në Strasburg, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me studentë dhe drejtues të Shkollës Politike të Tiranës dhe të asaj të Prishtinës, që të dy këto projekte të Këshillit të Evropës, që synojnë formimin e politikanëve të rinj. Pjesëmarrësit në takim falënderuan Kryeministrin për mundësinë që u dha të bashkëbisedonin si dhe nënvizuan kënaqësinë dhe krenarinë që Shqipëria kryesonte Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Kryeministri i përgëzoi studentet e dy shkollave politike për pjesëmarrjen në to, duke e vlerësuar këtë program si një mundësi shumë të mirë për thellimin e dijeve dhe formimit politik me vlerat e demokracisë, që janë në zemër të Këshillit të Evropës.
Në vijim, Kryeministri ilustroi prioritetet e Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, të mishëruar në moton “Të bashkuar në diversitet”.
Kryeministri iu përgjigj interesimit të studentëve të shkollave nga Shqipëria dhe Kosova, në lidhje me rolin e të rinjve në politikë dhe një shoqëri demokratike në kushtet e krizës botërore, promovimin e vlerave morale si toleranca dhe harmonia ndërfetare, që shqiptarët mund t’i japin si shembull në kuadër të Këshillit te Evropës, ku shkëlqen roli i shqiptarëve gjatë holokaustit, rolin e Shqipërisë në kuadër të Presidencës për afrimin e Kosovës me KiE, etj...
Në përfundim të takimit, Kryeministri theksoi vazhdimësinë e mbështetjes së qeverisë për këtë program të Këshillit të Evropës. Në Strasburg, kryeministri Sali Berisha iu adresua me një fjalë Forumit Ndërkombëtar për Demokracinë.
Në forumin ku merrnin pjesë personalitete të shquara të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile, drejtësisë etj, u trajtuan një seri temash mbi demokracinë dhe të ardhmen e saj si; “Modelet e vjetra dhe realitetet e reja”, “Të rinjtë dhe demokracia”’, “Demokracia gjithëpërfshirëse”, “Vlerat Universale, Sfidat Globale dhe Realitetet Rajonale”. Kryeministri Berisha, në emër të Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës iu adresua Forumit me një fjalë, në sesionin me temë “A kanë nevojë tregjet për demokracinë dhe anasjelltas?”. Kryeministri e vlerësoi Forumin si një iniciativë të shkëlqyer të Këshillit të Evropës, i cili trajton tema thelbësore, në kohën e zhvillimeve të rëndësishme që kanë përfshirë rajonin dhe botën lidhur me lirinë, demokracinë dhe vlerat themelore.
Në fjalën e tij, Kryeministri bëri një prezantim të ecurisë dhe zhvillimit të Shqipërisë përgjatë 20 viteve, të sfidave me të cilat është përballur vendi, drejt konsolidimit të demokracisë dhe tregut të lirë.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›