Kulluri: Balla nostalgji për Hoxhën, të njihet më mirë me procedurat e pronave

Reagon Ministria e Mbrojtjes pas akuzave të PS për ambientet e ish-klubit “Partizani”
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri reagoi pas akuzave të deputetit të Partisë Socialiste Tualant Balla se dikasteri i Mbrojtjes po shet prona pa transparencë, duke përmendur si rast shitjen e ambienteve të klubit “Partizani”.
Ai deklaroi në një deklaratë për shtyp se Partia Socialiste duhet të kuptojë se Shqipëria, pavarësisht nostalgjisë enveriste është një vend anëtar i NATO-s.
“Nga deklarata e fundit e Balla, kuptojmë që Partia Socialiste dhe deputeti Balla ndjejnë nostalgji për ushtrinë e Enver Hoxhës, por duhet t’u kujtojmë që Shqipëria tashmë është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut”, deklaroi Kulluri.
Më pas ai theksoi se ushtria shqiptare është reformuar në tërësi dhe ushtron funksione kushtetuese ligjore.
“Për këtë arsye Forcat e Armatosura sot përbëhen nga 11 000 vetë, pra 10 herë më pak se në vitin 1990, kur ishin 110 000 të tillë, fakt që e kemi theksuar jo më larg se dje. Ç’ka do të thotë se Forcat e Armatosura do të mbajnë për përdorim shumë herë më pak prona për të ushtruar detyrat dhe funksionet e tyre kushtetuese dhe ligjore”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Kulluri.
Ndërsa në lidhje me akuzën e deputetit Balla, ministria e Mbrojtjes informoi se “përgatitja e dosjeve me dokumentacionin për çdo pronë bëhet nga Komisionet e Vlerësimit të Pronës, që ngrihen me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Këto komisione rast pas rasti bëjnë vlerësimin e pronës dhe pas konfirmimeve nga organet përkatëse AKPP, ZRPP, si dhe në Prefekturën e Qarkut, dërgojnë dosjet pranë Ministrisë së Financave për të vazhduar më tej procedurat e shitjes së pronës publike. Si rrjedhojë, në rastin e ambienteve të ish-klubit Partizani ka pasur 10 vendime nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku Tiranë, në favor të ish–pronarëve të ndryshëm të trojeve ku kanë qenë të vendosura këto ambiente. Institucionet përkatëse kanë zbatuar këto vendime, duke u njohur të drejtën e parablerjes ish-pronarëve, ç’ka përbën mesa duket dhe shqetësim për deputetin Taulant Balla.
Ndërkohë, deklarata Ministrisë së Mbrojtje nënvizoi se jo më larg se para dy ditësh deputeti në fjalë pretendonte krejt të kundërtën.
“Këshillojmë deputetin Balla që të njihet me aktet ligjore dhe nënligjore, të cilat rregullojnë procedurat e shitjes së pronës publike, përpara deklarimeve të tij që synojnë të dezinformojnë opinionin publik. Dhe në lidhje me rastin konkret, bëjmë me dije se Ministria e Mbrojtjes dhe ministritë e tjera të përfshira në këtë proces, nuk paragjykojnë bindjet politikë të pretenduesve të pronave, të cilitdo krah qofshin”, përfundoi deklarata e Kullurit.