E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Shqipëria renditet e 62-ta mes 183 vendeve për nga liria ekonomike

Ministri i Financave Ridvan Bode tha të premten gjatë një konference për shtyp se Fondacioni "Heritage" e ka renditur Shqipërinë në vendin e 62, mes 183 ekonomive botërore për nga liria ekonomike, me një përmirësim prej 1.2 pikësh, krahasuar me një vit më parë. Duke iu referuar një raporti të publikuar nga Fondacioni i kongresit amerikan Heritage dhe gazeta e madhe amerikane Ëall Street Journal, mbi indeksin e lirive ekonomike për 184 vende të botës, të cilat vlerësohen nga këto dy agjenci, ministri Bode bëri të ditur se "raporti i vitit 2009 që mbulon vitin 2008 konfirmon edhe një herë progresin e mëtejshëm të Shqipërisë ne çështjet e lirive ekonomike".

Ai tha se pas përmirësimeve të dukshme që u deklaruan vitin e kaluar dhe që mbulonin vitin 2007, indeksi i ri konfirmon një rritje prej 1.2 pikë % të Shqipërisë në renditjen botërore. 

"Shqipëria renditet e 62 -a, midis 184 vendeve të botës, me një notë prej 63.7 %, nga 100 pikë të mundshme, duke lenë mbrapa një pjesë të mirë të vendeve të rajonit dhe vende të Europës Perëndimore si Francën, Italinë, Slloveninë, Turqinë, Rumaninë, Greqinë, Maqedoninë etj", nënvizoi Bode, ndarsa shtoi se, "ky përmirësim i treguesve të lirive ekonomike të vendit i jep një kredibilitet më të madh ambientit ekonomik në Shqipëri dhe krijon kushte dhe mundësi për një zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit". 

Në vijim të kësaj, ministri Bode shtoi se Shqipëria renditet e 27 -a midis vendeve të rajonit, duke lenë mbrapa një pjesë të vendeve që janë anëtare të BE -së dhe njëkohësisht, krahasuar me vendet e Europës qendrore dhe të Ballkanit perëndimor, renditet e dyta, për nga niveli i lirisë ekonomike, duke pasuar përpara vetëm Bullgarinë dhe duke lenë mbrapa 10 vende të tjera mes të cilave Greqinë, Turqinë, Slloveninë dhe Rumaninë. 

"I rëndësishëm është fakti që prej dy vitesh ( 2007 - dhe 2008) liritë ekonomike në Shqipëri janë mbi mesataren e lirive ekonomike botërore, duke qenë në 30 %-in e parë të vendeve me liri më të zhvilluar, niveli i lirisë ekonomike është dukshëm mbi nivelin mesatar botëror", deklaroi Bode.

Por ministri Bode duke analizuar disa tregues u shpreh se "janë liria e biznesit, liria fiskale dhe liria nga korrupsioni që kanë dhënë rritjen më të madhe në renditjen e Shqipërisë për vitin e fundit". Sipas tij liria e biznesit ka kaluar nga 55.6, që ka qenë nota, në 67 dhe përbën progresin më të madh, në saj të reformave rregullatore, në sajë të reformave të ndërmarra në kuadrin e Doing Biznes". 

Më tej, ai shtoi se liria fiskale vijon të thellojë avantazhin e saj, duke mbetur si vendi më i lirë fiskalisht në Europë, duke qenë vendi me taksat më të ulëta nga 90. 3 që ka qenë nota në vitin e kaluar në këtë vit vlerësohemi me 92.8 ,"dhe këtu sigurisht kanë impaktin e tyre dhënë në këtë vlerësim, reformat e ndërmarrra gjatë vitit 2008, vendosja e taksës së sheshtë, ulja e tatimit të fitimit me 2.5 herë, ulja maksimale e tatimit mbi të ardhurat personale me 2.3 herë", deklaroi Bode.

Këtu ministri Bode u ndal edhe në një një sërë përmirësimesh të tjera që kanë të bëjnë me pakësimin e taksave nacionale dhe lehtësimin e procedurave tatimore për pagimin e taksave, rregullimin e raporteve me administratën që mundësojnë deklarimin e Shqipërisë si vendin më të lirë në Europë nga pikëpamja fiskale.

Rritje, sipas Bodes, ka pësuar dhe indeksi i lirive nga korrupsioni. "Nga 26 % që ishte nota e vitit të kaluar, ka shkuar në 29 % këtë vit" tha Bode duke shtuar se "në vitet e fundit kemi një kapërcim të menjëhershëm dhe një tendencë pozitive në rritje duke arritur në rreth 29 % për vitin e fundit pra një trefishim të nivelit të luftës kundër korrupsionit, trefishim të hapësirave të lirisë nga korrupsioni në fushën e ekonomisë". 

Por, kreu i financave publike, theksoi se këta tregues, edhe një herë dëshmojnë performancën e lartë në zbatimin e reformave të deklaruara dhe të ndërmarra nga qeveria dhe përbëjnë një nxitje të madhe për qeverinë dhe gjithë institucionet e vendit, që të vijojnë në rrugën e zgjerimit të hapësirave të lirive ekonomike, si thelbi i lirive që ka individi në një shoqëri demokratike./a.gj/

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›