E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligji i lustracionit, trasparent dhe jo hakmarrës”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar nga Elbasani ligjin për pastrimin e figurave duke e konsideruar atë si më se të drejtë dhe normal. Sipas tij, ligji i lustracionit është një proces i natyrshëm, por nuk është aspak hakmarrës. Duke përmendur problemet e shumta të sistemit të diktaturës, ai pohoi para studentëve të Elbasanit se ishin me fat që nuk kishin jetuar në atë periudhë. “Më 1995 bëra këtë ligj që është absolutisht antihakmarrje. Ka një dallim mes demokracisë dhe diktaturës. Diktatura është urrejtje dhe hakmarrje, demokracia është mirëkuptim, kompromis, pajtim. Këto janë nga ana e vlerave. Që ju të keni në krye të sistemit të drejtësisë vetëm ata të cilët i kanë duart e tyre të lyera me gjak, kjo nuk mund të pranohej më tutje. E vura ligjin më 1995, mora variantin çek, u përkthye dhe u zbatua. Ligji çek ishte miratuar më 1991, ishte vlerësuar kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Çekosllovakisë. Pasi u nda Çekosllovakia, ish-komunistët në pushtet erdhën në Sllovaki dhe anuluan ligjin në Parlament. Prandaj, kthimi majtas është kthim prapa. Në kohën kur çekët dhe shqiptarët kishin bërë ligjin, nuk kishte dokumente ndërkombëtare”, - shpjegon ai. Berisha pohoi më tej se ky ligj është një kufizim i përkohshëm të drejtash dhe, ç është e vërteta, nuk ka vend në botë që s`ka bërë kufizime të përkohshme dhe ky është një kufizim minimal i një grupi shumë të vogël. Përse sipas tij, u dashka që drejtësia shqiptare të mos drejtohet nga 760 prokurorë apo gjykatës që kanë lidhje me të shkuarën aq sa keni ju, por duhet të drejtohet nga ata që varën në sheshet e Shqipërisë në vitin 88, apo që urdhëruan lidhjen me tela me gjemba dhe zvarritjen në rrugët e Shkodrës? Dhe kjo vetëm se ai njeri, në moshën tuaj, kishte kërkuar të dilte jashtë kufirit”, - tha ai. Lidhur me qëndrimin e Topit që nuk firmosi as pro as kundër ligjit, ai pohoi se nuk kishte asnjë koment. “Nuk kam ndonjë koment të veçantë për qëndrimin e zotit President, ai ka bërë zgjedhjen e vet, ka ushtruar të drejtat e tij kushtetuese, pasi në Kushtetutë Presidenti një ligj e firmos, ia kthen Parlamentit ose nuk shprehet, ndër tre variantet ka përzgjedhur variantin e mosshprehjes”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›