E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhiulio Andreoti - ikona e politikës italiane mbushi 90 vjeç

Djaloshi që kaloi një fëmijëri të vështirë në Romë, i rritur nga e ëma e tij nën kushte të vështira financiare, avancoi deri në piedestalin e shtetarit më të famshëm në historinë e Italisë, duke renditur përkrah vetes si miq personalë, disa presidentë amerikanë, kryeministra britanikë e burra të tjerë shteti. Ai i mbijetoi disa krizave politike dhe seancave gjyqësore dhe dominoi politikën italiane qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Giulio Andreotti lindi në Rome më 14 janar 1919. I ati i vdiq kur ai ishte akoma adoleshent dhe kështu që i mbeti së ëmës së tij ta rriste Giulio-n dhe motrën e vëllain e tij, të dy të fundit, më të mëdhenj në moshë se ai. Gjatë këtyre viteve të ashpra të fëmijërisë, jeta e tij ishte e lidhur me Kishën Katolike dhe si një “djalosh altari”, ai nisi të drejtonte kolegët e vet ndërsa praktikonte funksione modeste administrative, të cilat më vonë do ta ndihmonin gjatë ushtrimit të detyrave të larta shtetërore.
Ai studioi drejtësi, u bë më pas President i Lëvizjes së Aksionit Katolik dhe gjithashtu punoi si gazetar, duke kontribuar në botimin e një gazete ilegale kristiandemokrate, por do të ishte një takim i rastësishëm që i dha Andreotti-t shanset për karrierë të lartë në fushën e politkës. Ai u takua me Alcide de Gasperin, një politikan i moçëm e i famshëm katolik, i cili po punonte në atë kohë në librarinë e Vatikanit, duke pritur fundin e regjimit fashist. De Gasperi e mori djaloshin me vete, duke e bërë pjesë të planeve të tij politike. Andreotti u bë shumë shpejt krahu i djathë i De Gasperit. Shumë shpejt ai i ngjiti shkallët e karrierës në partinë më të suksseshme italiane të pasluftës, atë Kristiandemokrate (Democrazia Cristiana). Kur De Gasperi u bë Kryeministër, menjëherë pas luftës, Andreotti u emërua në postin me influencë të Nënsekretarit të Këshillit të Ministrave në vitin 1947.
Taktikat e tij, aftësitë e spikatura për të negociuar dhe rezultatet në zgjidhjen e problemeve, si dhe fama e tij si një njohës i mirë i procedurave parlamentare, e bënë atë një aset të paçmuar për politikën italiane e më pas atë europiane. Ai u zgjodh kështu në Asamblenë Kushtetuese në vitin 1946, dhe që nga ajo kohë mbajti një vend të përhershëm në Parlamentin italian. Ai u bë më pas Senator i Përjetshëm, duke nisur nga viti 1991.
Gjatë rrugëtimit të gjatë e mbresëlënës politik, ai ka mbajtur praktikisht çdo post të mundshëm ministerial, ku spikat ai i Ministrit të Jashtëm, të cilin e mbajti plot gjashtë herë. Ai ka skicuar politikën italiane në përballje me sfidat e përmbushjen e detyrimeve kombëtare e ndërkombëtare, siç ishin edhe çështjet e anëtarësimit të vendit në NATO, në BE dhe marrëdhëniet me shtetet e tjera.
I ushqyer në një sistem të fraksionuar partiak, me koalicione para dhe paszgjedhore, me aleatë e kundërshtarë  të ndryshëm, Andreotti u bë kësisoj negociatori i domosdoshëm për arritjen e sukseseve, duke u dëshmuar si mjeshtri i përkryer i kompromisit politik. Në vitet ‘70, ai i hapi madje rrugën kompromisit politik historik, duke hyrë në bashkëqeverisje edhe me komunistët, gjë e cila deri atëherë ishte thuajse një tabu politike.
Ai ishte Kryeministër i vendit për shtatë herë, mes viteve 1972 e 1992, dhe në fund doli nga politika aktive, pas disa akuzave për korrupsion e lidhje me mafian, të cilat nuk u vërtetuan kurrë. Këto akuza u rritën shumë në një pikë të caktuar derisa sollën bindjen se ai ishte edhe urdhëruesi i vrasjes së gazetarit Mino Pecorelli, i cili po bëhej gati të publikonte një libër që bënte fjalë për lidhjet e tij me mafian. Ai shkoi në gjyq duke e apeluar çështjen dhe vendimi i mëparshëm i vitit 2003, u rishikua. Kishte aludime se ai mund të ishte niveli më i lartë i kapur nga mafia në pushtetin ekzekutiv italian, njohur ndryshe me emrin “Xhaxha Giulio”.
Një katolik i vendosur gjatë gjithë jetës, Andreotti merr pjesë në mesha vazhdimisht dhe ka qenë njeriu i besuar i papëve të ndryshëm që kanë udhëhequr Vatikanin. Ai ka qenë i  njohur për luajalitetin ndaj eprorëve, duke iu përgjigjur letrave e telefonatave të tyre dhe duke i takuar rregullisht zgjedhësit e duke gjuar hallet e tyre. Ai madje është i njohur edhe si shpërndarës vullnetar i vakteve për të vobektët. Andreotti gjithashtu ka bërë shumë edhe për Romën, si qytetar i saj, duke sjellë biznese, fabrika e projekte publike, për të e për rajonin rreth saj. Nuk përbën çudi nëse ai pretendon sot se ka marrë më shumë vota nga të gjithë politikanët e tjerë italianë të të gjitha kohërave.
Natyra e tij punëtore është e mbushur me pagjumësi. Andreotti fle vetëm pak orë dhe kalon pjesën tjetër të kohës duke punuar a shkruar. Ndërsa jeton në kushtet e një gjysëm-pensionisti, ai shkruan rregullisht artikuj në Corriere della Sera dhe ka luajtur edhe në një shfaqje TV në formë spoti.
Ai ka qenë gjithashtu një student i zellshëm i historisë përgjatë gjithë jetës, dhe kjo, siç pohon edhe vetë, e ka ndihmuar atë të vlerësojë se si mund të përmirësohen gjërat në perspektivë. Ai gjithashtu është udhëhequr nga një motiv i moçëm filozofik, i injektuar nga halla e vet që në fëmijëri: “kurrë mos i mbidramatizo gjërat; çdo gjë mund të rregullohet. Mbaj njëfarë tolerance e distance ndaj çdo gjëje; gjërat e rëndësishme në jetë, janë shumë të pakta”.
Si njeri privat, ai është i famshëm për shakatë e ironitë e goditura. Shumë nga thëniet e tij me spec, janë bërë legjenda tashmë në Itali, dhe ai e ka përdorur talentin e vet në këtë aspekt për të çmontuar disa prej akuzave të bëra ndaj tij gjatë karrierës politike. Një shembull është edhe përgjigjia e tij ndaj një pyetjeje që kishte lidhje me faktin se shumë nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, kanë pasur reputacione të dyshimta. I pyetur se përse ai kishte zgjedhur ta rrethonte veten me njerëz me një reputacion të atillë, iu përgjigj menjëherë se “Pemët, që të rriten, kanë nevojë për pleh”.
Si politikan, Guilio Andreotti ka jetuar një jetë plot ngjyra, duke pasur sigurisht një meritë të veçantë në modernizimin e Italisë e ngritjen e saj në familjen e popujve më të zhvilluar të botës. Gjatë karrierës së tij kaq të pasur, megjithatë ai, paradoksalisht nuk arriti kurrë ta shijonte postin e Presidentit të Republikës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›