Niset për në Herat të Afganistanit kontigjeni i katërt paqëruajtës
Kontigjenti i trupave të 4-të Paqeruajtëse shqiptare, u nis sot për në Herat të Afganistanit. Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes, bën të ditur se, në ceremoninë e zhvilluar për ta, merrte pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes,.Gazmed Oketa, si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm,.Maksim Malaj. “ Është një kënaqësi e veçantë që sot marr pjesë, në këtë ceremoni të nisjes së Kontigjenti të 4-të, Paqeruajtës në Herat," tha në fjalën e tij ministri Oketa. Duke iu drejtuar trupave paqeruajtëse, ai u shpreh se, “ ju keni një detyrë sa të lehtë aq edhe të vështirë, një detyrë shtoi ai, të lehtë pasi në misionet e mëparshme ushtarakët shqiptarë që kanë shërbyer atje i kanë përmbushur në mënyrën më të mirë. Por nga ana tjetër, keni një detyrë të vështirë, pasi po shkoni në një vend i cili përballet me probleme të shumta, por jam i sigurtë se ashtu sikurse paraardhësit tuaj kanë ditur të përmbushin misionin edhe ju do të shkoni dhe do të ktheheni faqebardhë”. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shprehu një falenderim të veçantë edhe për familjarët e ushtarakëve, pasi sipas tij, "janë pikërisht ata që ju mbështesin më shumë se kushdo." Kontigjenti i 4-të Paqëruajtës që u nis sot me mision në Herat të Afganistanit, përbëhet nga 112 oficerë, nënoficerë, dhe ushtarësh profesionistë efektivë të Brigadës së reagimit të shpejtë. Trupat paqeruajtës të këtij kontigjenti do të zëvendosojnë Kontigjentin e 3-të, që shërben prej 6 muajsh në Herat nën komandën italiane, duke përmbushur detyrat e ngarkuara në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s.
...