Bode: Situata financiare në 7 muajt e parë të 2009 paraqitet stabile

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi sot se situata financiare në vend gjatë shtatë muajve të
parë paraqitet stabël dhe qeveria përballoi me sukses presionet e krizës ndërkombëtare. Në një konferencë për shtyp, Bode tha se në periudhën janar-korrik u mblodhën në buxhetin e shtetit 171 miliardë lekë, ose 94 % e programit të miratuar në buxhetin e vitit 2009. "Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit i referohen dinamikës së zhvillimit të ekonomisë", deklaroi kreu i Financave, ndërsa shtoi se "tatimet dhe doganat kanë dhënë impaktin më të lartë në të ardhurat e arkëtuara, duke rezultuar sa 95 % e programit". Në këtë drejtim ai shtoi se gjatë periudhës së parë të vitit të ardhurat nga TVSH-ja, e cila është një taksë që mat qarkullimin e mallrave në vend, rezultojnë me rritje, çka tregon ecurinë pozitive të ekonomisë së brendshme. Duke u ndalur në nivelin e shpenzimeve buxhetore për 7 muajt e parë të vitit, Bode deklaroi se ka patur një rritje të nivelit të shpenzimeve me rreth 26 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008 dhe kjo për shkak të rritjes së vëllimit të shpenzimeve kapitale. "Niveli i shpenzimeve rezulton të jetë rritur me rreth 26 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008 dhe kjo për shkak se shpenzimet kapitale u rritën me 63 %, rrjedhojë kjo e rritjes së kërkesës konsumatore, ofertës publike dhe rritjes së kapacitetit të kampanive private pjesëmarrëse në vepra publike", tha ai. Z.Bode theksoi se qeveria shqiptare përdori investimet publike, si një instrument për të përballuar krizën ekonomike globale, e cila u shfaq që në vjeshtën e vitit të kaluar.
Shpenzimet buxhetore për 7 muajt e parë të 2009-s
Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit në fund të muajit korrik 2009 arritën në rreth 211.4 miliardë lekë, nga rreth 225.1 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar në masën 94 % të parashikimit të periudhës. Ministri i Financave, tha se krahasuar me planin vjetor, këto shpenzime janë realizuar 54.3 %, ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, shpenzimet buxhetore rezultojnë rreth 42 miliardë lekë me shumë. "Në totalin e shpenzimeve buxhetore të realizuara gjatë kësaj periudhe të vitit 2009, shpenzimet korente zënë rreth 73.2 % nga rreth 74 % të parashikuara, ndërkohë që shpenzimet për investime zënë rreth 27 % nga 26 % të parashikuara", deklaroi Bode. Sipas tij, shpenzimet korente në fund të shtatëmujorit 2009 arritën 154.8 miliardë lekë ose 93.13 % e parashikimit të periudhës, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 11.4 miliardë lekë. Por, ai tha se krahasuar me planin vjetor këto shpenzime janë realizuar 52.7 %, ndërkohe që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto shpenzime rezultojnë rreth 25 miliardë lekë më të larta, ose rreth 19.3 për qind më shumë. Duke u ndalur në shpenzimet për pushtetin lokal, Bode tha se ato arritën 17.9 miliardë leke nga rreth 20.2 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë të vitit 2009, duke rezultuar me një mosrealizim prej 2.2 miliardë lekë. "Kundrejt planit vjetor këto shpenzime kanë arritur në rreth 48.68 % të tij, ndërsa krahasuar me një vit më parë keto shpenzime rezultojnë 5.2 miliardë lekë më të larta", u shpreh Bode.
PS mosbesuese: Bode të tregojë të vërtetën për financat e vendit
Partia Socialiste kërkoi menjëherë pas deklaratës së ministrit Bodeqë ai të tregojë të vërtetën për financat e vendit. Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha sot gjatë një konference për shtyp, se "ministri i Financave duhet t’i tregojë të vërtetën shqiptarëve për mosfinancimin e kontratave që ka lidhur për rrugët e për mungesën e investimeve, për gropën e zezë të ekonomisë ku rrezikon të bjerë vendi. Sot z.Bode më në fund ka pranuar se vendi ka patur krizë, edhe pse PS e ka bërë me dije një fakt të tillë prej shumë kohësh", tha Kodheli.
...