E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton tenton t'i shpëtojë policë, hidhet nga ballkoni

Ish efektivi i policisë dyshohej për dokumente të falsifikuara. Policia kishte shkuar për të kontrolluar banesën. 55 vjecari ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore. 

SARANDE- Një ish efektiv i policisë ka tentuar ti shpëtojë arrestimit të tij duke u hedhur nga ballkoni i katit të tretë të banesës së tij në qytetin e Sarandës. Selman L. 55 vjecari i cili aktualisht punonte si taksist ishte në hetim nga policia për dokumente shtetërore të falsifikuara.

Selman L., ishte prangosur dhe gjashtë vjet më parë, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij u gjetën disa vula institucionesh shtetërore. Ai u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u provua veprimtaria e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Në bazë të informacioneve paraprake mbrëmë policia lokale shkoi për një kontroll në banesën e tij, në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës, në pallatin prapa kishës së "Shën Harallambit" në këtë qytet. Policia kishte informacione se dispononte vula të falsifikuara të institucioneve të rëndësishme shtetërore.

Sipas policisë 55 vjeçari, ka treguar si vend ku mbante vulat, ballkonin e banesës së tij, dhe kur ka shkuar atje së bashku me ekspertët e policisë është hedhur duke rënë në asflat.

Menjëherë 55 vjecari është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës, me fraktura të shumta në gjymtyrë e dëmtime në të gjitha pjesët e trupit, dhe më pas, gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e sotme, është dërguar me helikopter në spitalin e Tiranës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Selman Lumani ka shërbyer për disa vite, deri më 1997, si efektiv i komisariatit të policisë së rendit në Sarandë e më pas u lirua për shkak të reformës. Vitet e fundit, punonte si taksist në linjën Sarandë-Janinë. Ai është baba i një vajze dhe një djali, i cili paraqet probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që bashkëshortja e tij është invalide.
(s.g/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›