Gjashtë vjet pa dirigjentin dhe kompozitorin e shquar, Ferdinand Deda
Sa herë do të flitet për muzikë të bukur aq herë do të kujtohet Ferdinand Deda, janë shprehur miqtë e muzikantit të njohur, kur ai u nda nga jeta gjashtë vjet më parë. Ferdinand Deda, i njohur si një nga artistët më të kompletuar shqiptarë, ruan prej të gjithë artëdashësve respektin dhe mirënjohjen për kontributin e tij në muzikën tonë. Dirigjent dhe kompozitor i apasionuar mbi notat dhe ritmin, i cili në asnjë moment të jetës nuk u nda nga partiturat, i mori mësimet e para në muzikë që në moshën 6 vjeçare. I lindur në një qytet të vogël si Peqini, në Shqipërinë e Mesme, që në moshë të hershme ai filloi të njihej nga të gjithë si një fëmijë i apasionuar pas muzikës dhe përherë i gatshëm të bëhej pjesë e shfaqjeve amatore të qytetit të tij. Por studimet e mirëfillta, përmes të cilave nisën të marrin jetë ëndrrat e tij për muzikën, i filloi në vitin 1955, pranë Liceut Artistik "Jordan Misja", në Tiranë. Menjëherë pas mbarimit të Liceut, në vitin 1959 emërohet mësues muzike në Gjirokastër, ku qëndroi deri në 1960. Në këtë kohë në jetën e tij hyri dirigjimi, pasioni më i fortë, me fillimin e studimeve për dirigjim pranë Konservatorit Nacional të Pragës, në Çeki.
I detyruar nga rrethanat e asaj kohe, Ferdinad Deda ndërpret studimet pranë këtij konservatori dhe rikthehet në Tiranë ku arrin të diplomohet në Akademinë e Arteve në vitin 1966. Që prej këtij viti e deri në momentet e fundit të jetës së tij ai ishte dirigjenti kryesor i orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar dhe ka realizuar qindra koncerte të të gjitha gjinive, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Paralelisht ka drejtuar edhe orkestra të tjera, si orkestra e TKOB, Akademisë së Arteve, Orkestra Simfonike e Prishtinës, etj. Por në karierën e tij si muzikant një vend të rëndësishmë ka zënë dhe kompozimi. Ai ka kompozuar 3 valle simfonike "meditim 1-2-3", ka kompozuar gjithashtu edhe katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe okestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncert për klarinetë dhe orkestër, rapsodi me tema popullore për orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj.
Për krijimtarinë e tij ai është vlerësuar dhe me tituj si "Artist i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh". Ferdinand Deda u nda nga jeta në moshën 62 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Megjithse iu nënshtrua një ndërhyrjeje mjekësore në Turqi, nuk mundi të mbijetojë, duke lënë pas një lum ëndrrash të parealizuara. Në mëndjen e gjithësecilit ai do të kujtohet gjatë dhe në kalimin e viteve. Përmes rikthimeve në këngë të ndryshme të festivaleve në RTSH apo dhe koncerteve të ndryshme, do të shihet në ndonjë plan një dorë që lëviz me pasion dhe një mimikë fytyre që ndryshon pas çdo note, të cilat do t`i falin përjetësinë mjeshtrit të dirigjimit Ferdinand Deda.
...