Bode dhe Olldashi: Shqiptarët do zgjedhin Shqipërinë europiane më 23 qershor

Mazhoranca akuza opozitës për bllokimin e integrimit
Nga Pogradeci, në 22 vjetorin e themelimit të PD-se të këtij rrethi, sekretari i Përgjithshëm i demokratëve dhe ministri i Financave Ridvan Bode akuzoi opozitën se po bën çdo përpjekje për të bllokuar rrugën e Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt BE. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, njëherazi ministër i Financave, Ridvan Bode, foli për arritjet e kësaj force politike dhe të Shqipërisë nën qeverisjen e PD-se dhe sfidat që e presin atë në të ardhmen. “Çdo qytetar i Pogradecit, vuri në dukje Bode, ndihet sot i gëzuar, pjesë e gëzimit të pluralizmit politik që solli demokracia, duke e ndarë vendin nga monizmi i regjimit komunist dhe duke hapur perspektiva për të qenë pjesë e zhvillimit evropian. Jemi opozita e parë pas 50 vjet totalitarizëm, theksoi ai dhe për këtë ndihemi krenarë, sepse bashkë me qytetarët e gjithë vendit tonë, kemi mundësuar ndryshimin e madh të vendit tonë”. “Ne jemi ndryshimi, sepse jemi integrimi”, pohoi Bode, duke vlerësuar PD si forcë politike që i ka paraprirë Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO, lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në vendet që përfshin marrëveshja “Schengen”, punën dhe përpjekjet për të plotësuar kushtet e anëtarësimit në BE etj. Duke akuzuar opozitën për bllokimin e rrugës së vendit drejt integrimit, Bode, me sloganin e ndryshimit të kësaj force politike me aleancën e saj më të gjerë, shprehu besimin “për fitore në zgjedhjet elektorale të radhës, duke thyer murin e bllokimit që përpiqen të ngrenë ata që e mbajtën vendin të izoluar, për ta izoluar përsëri e për ta shfrytëzuar për klanet dhe familjet e tyre”, theksoi ai. “Kemi filluar një betejë të re politike, pohoi Bode, dhe në këtë përballje, ne jemi ndryshimi, ne jemi fitorja, sepse jemi me ata që kërkojnë një të ardhme evropiane. Të gjithë së bashku, në zgjedhjet e ardhshme elektorale”, u bëri thirrje ai pjesëmarrësve në takim, “duke konsoliduar më tej fitoret e arritura nën qeverisjen e PD-së, me hapin drejt Evropës së bashkuar, për ta bërë sa më shpejt Shqipërinë pjesë të saj”. Sipas Bodes maxhoranca, nëpërmjet reformave, po përshpejton hapat për integrimin e shpejtë të vendit në familjen europiane, ndërsa kundërshtarët politikë janë muri bllokues i ëndrrës së shqiptarëve. Ai i ftoi qytetarët që më 23 qershor të votojnë për vijimin e reformave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Europë.
Ndërkaq, ministri i Punëve Publike e Transportit Sokol Olldashi festoi me qytetarët e Lushnjes 22 vjetorin e degës së PD-së, ku gjithashtu shprehu siguri për fitoren e mandatit të tretë qeverisës. “PD ka një vizion të qartë për zhvillimin e vendit dhe të objektivave të saj. Bilanci i kësaj qeverisjeje është bilanc i sukseseve, ndaj PD do të votohet edhe në këto zgjedhje” – deklaroi Olldashi.