E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode heq dorë nga caktimi i primeve të sigurimit

Tregu i sigurimeve nuk do të ketë prime minimale dhe maksimale të vendosura nga ana e ministrit të Financave. Gjatë ditës së djeshme Ministria e Financave, në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, ka paraqitur edhe projektligjin e ri mbi bazën e të cilit do të funksionojë tregu i sigurimeve. Një nga pikat e rëndësishme të këtij projektligji është heqja e detyrimit për të zbatuar apriori çmimet e referencës të vendosura nga ana e ministrit të Financave për sigurimin e detyrueshëm motorik. Në bazë të këtij projektligji, primet e reja të sigurimit do të vendosen nga ana e kompanive të sigurimit dhe miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Aktualisht kompanitë e sigurimit detyrohen që për çdo makinë që sigurohet të zbatojnë një çmim për policën që mund të jetë poshtë primit dysheme të vendosur nga ana e ministrit të Financave. Aktualisht primet e sigurimit janë të caktuara sipas fuqisë motorike të makinave. Tregu i sigurimeve gjatë viteve ka shfaqur një problematikë të vazhdueshme, ku konkurrenca me çmimet ka ulur në tërësi shërbimin e kompanive ndaj klientëve. Mungesa e një kuadri të mirëfilltë ligjor ka bërë nga ana tjetër që shumë kompani të kenë vlera të mëdha të dëmeve të mbetura pezull.

Çmimet e reja

Drafti i paraqitur nga ana e Ministrisë së Financave parashikon që çmimi i policave të sigurimit të caktohet në bazë të kritereve që janë në fuqi nga vetë kompania e sigurimit. “Shoqëria e sigurimit detyrohet të depozitojë në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare kushtet e sigurimit dhe bazën teknike të përdorur për llogaritjen e tarifave të primit të sigurimit, me qëllim kontrollin nëse ato janë llogaritur në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga Autoriteti, parimet aktuariale dhe praktikat e tregut. Nëse kushtet e sigurimit dhe baza teknike është në përputhje me legjislacionin, Autoriteti i miraton këto kushte brenda 60 ditëve nga dorëzimi i kërkesës dhe njofton shoqërinë e sigurimit për zbatimin e tyre”. Me anë të këtij neni projektligji përcakton edhe shkëputjen përfundimtare të kompanive të sigurimeve dhe çmimeve që ato zbatojnë në treg nga urdhri i ministrit të Financave.

Shtohen sigurimet e detyrueshme

Projektligji që pritet të miratohet së shpejti në parlament shton numrin e sigurimeve të detyrueshme që duhet të kryejnë mjetet e transportit. Një nga risitë e këtij projektligji është sigurimi i detyrueshëm i udhëtarëve që udhëtojnë me mjete të transportit publik, taksi urbane dhe interurbane, autobuzë etj. Sipas draftit të gjithë pasagjerët në këto linja do të jenë të siguruar për çdo aksident që atyre mund të ndodhë për faj të drejtuesit të mjetit, apo personave të tretë. Njëkohësisht të detyruar për t’u siguruar do të jenë edhe të gjithë avionët dhe anijet për personat që ata kanë në bord dhe jetët e tyre. Këto mjete duhet që të kenë edhe një sigurim për dëmet që mund të kryejnë ndaj të tretëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›