E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë, 105 kandidatura për shqyrtim në Presidencë

Tiranë- Numri i aplikuesve për vendet vakante në Gjykatën e Lartë ka shkuar në 105 vetë. Lajmi bëhet i ditur nga drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidencës, në përfundim të afatit kohor të caktuar.

Të gjitha aplikimet e dorëzuara po përpunohen në Zyrën Juridike të Institucionit të Presidentit të Republikës për t’iu paraqitur më pas grupit të punës të ngritur nga Presidenti Topi për asistencë ligjore.

Në ditët në vijim, grupi i punës së ekspertëve ligjorë do të mblidhet për të diskutuar dhe shqyrtuar kërkesat e mbërritura në Presidencë, si dhe për t’i paraqitur kreut të shtetit sugjerimet e tij për standardet dhe kriteret, veç atyre ligjore, që mund të merren parasysh gjatë përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu, në frymën e bashkëpunimit ndër institucional dhe të transparencës, Presidenti i Republikës u ka dërguar partive politike parlamentare një letër ku i kërkon, të paraqesin deri ditën e hënë, më 30 qershor 2008 pranë grupit të punës për asistencë ligjore mendime dhe sugjerime rreth standardeve dhe kritereve që mund të konsiderohen në përzgjedhjen e kandidaturave të anëtarëve të Gjykatës Lartë.

Në përfundim të gjithë këtij procesi të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet e mbledhura do të paraqiten tek Presidenti i Republikës, i cili në mbështetje të dispozitave të Kushtetutës ka ekskluzivitetin e përzgjedhjes së emrave ndërmjet kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›