PS: Pas incidentit në Tiranë fshihet Berisha
Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi akuzoi dje sërish Kryeministrin Berisha për incidentin e pak ditëve më parë në Tiranë lidhur me një çështje pronësie. Në një konferencë për shtyp përfaqësuesi i selisë rozë u shpreh se: “Pas këtij demonstrimi të paligjshëm force, fshihet pushteti i paligjshëm i Sali Berishës, që u është turrur pronave publike dhe private me një babëzi e verbëri të paparë. Kjo dhunë bëhet për t’i detyruar pronarët e ligjshëm, që të lidhin kontrata me sekserët e Sali Berishës, të cilët janë lëshuar si hiena kudo”. Sipas tij kjo dhunë tregon fytyrën e vërtetë të Berishës. “Për këtë shesh këtu, është organizuar një Konkurs Ndërkombëtar dhe i është dhënë leje nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, ku kanë votuar pro si përfaqësuesit e PS-së ashtu edhe përfaqësuesit e PD-së. Por kjo me sa duket nuk i mjafton të bijës dhe të birit të Sali Berishës, të cilët kërkojnë nga baca e tyre Sali, nga një pronë përditë. Por ta harrojë baca Sali, se mund t’i bëjë pronat e popullit dhuratë për fëmijët e vet”, tha deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi.