E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode nuk është zhvlerësuar Leku, është mbivlerësuar Euro

Ministri i Financave Ridvan Bode ka dalë të enjten në mbrotje të monedhës kombëtare, lekut. Ditët e fundit monedha vendase po përjeton disnivele të frikshme në raport me Eurorën, por që kreu i Financave e përkufizoi si vlerësim të euros dhe aspak zhvleftësim të lekut. Bode foli për tendenca destabilizuese në treg të cilat sikundër tha po kërkojnë të krijojnë efekte negative psikologjike tek konsumatorët duke paraqitur një situatë negative të lekut. Këtu Bode përfitoi nga rasti të theksojë se është keqkuptuar madje po keqpërdoret dhe deklarimi i disa ditëve më parë i kryeministrit Berisha mbi perspektivën e euros në Shqipëri.
Kuvendi miratoi në parim projektligjin për disa ndryshime në Buxhetin e shtetit për vitin 2009. Bëhet fjalë për një shtim të shpenzimeve me rreth 17 miliardë, të cilat do të përdoren kryesisht për infrastrukturën si dhe kompensimin e pronarëve apo ish -të burgosurve politikë. Ministri Bode theksoi pikërisht faktin se ky buxhet suplementar vjen në një kohë kur shumë vende vazhdojnë të përjetojnë krizën ekonomike. Bode listoi arsyet e këtij zhvillimi pozitiv në ekonominë shqiptare ku më kryesori është menaxhimi i kujdesshëm i të ardhurave nga privatizimet.
Ministri i Transporteve Olldashi tha se këto para janë një frymëmarrje për investimet. Pak përpara votimit kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shprehu keqardhje mbi mungesën e opozitës në sallë. Duke e cilësuar të pajustifikuar mungesën, kryeparlamentarja solli dhe një herë në vëmendje Raportin e Këshillit të Europës për Shqipërinë.
Shtesa në buxhet mori 72 vota pro dhe një kundër. Në fillim të javës që vjen, projektligji do të shqyrtohet nen për nen dhe miratohet më pas në tërësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›