E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode nxjerr formularin: Si do regjistrohen kazanët e rakisë

Ministri i Financave, Bode

Financat: Detyrimi për ata që prodhojnë pije për përdorim vetjak.

Autorizim nga degët doganore për ata që nxjerrin raki në shtëpi.

Sado humoristike të duket, ministri i Financave jo vetëm që insiston në regjistrimin dhe penalizimin e atyre që prodhojnë raki në shtëpi, por dje ka nxjerrë edhe projekt-udhëzimin se si do të kryhen procedurat.
Gazeta boton sot autorizimin që duhet të marrin përgjithësisht fshatarët që prodhojnë raki në kushtet e shtëpisë. Udhëzimi, i miratuar nga Ridvan Bode, parashikon edhe taksën që duhet të paguajnë fermerët që kalojnë limitin e prodhimit për konsum vetjak.
Regjistrimi i kazanit
Ligji i ri i akcizave, që Bode ka propozuar për miratim në Kuvend, parashikon që kush ka në përdorim apo jep në përdorim të të tjerëve kazanë rakie, duhet ti regjistrojë ata në drejtoritë rajonale të doganave, në të kundërt, gjobitet. Udhëzimi i ri i ministrit parashikon edhe procedurën. Të gjithë përdoruesit e kazanëve të distilimit për prodhimin e produkteve alkoolike të destinuara ekskluzivisht për përdorim vetjak të familjarëve dhe miqve të tij, duhet të paraqiten pranë autoriteteve doganore, me qëllim deklarimin e pajisjeve/kazanëve të distilimit. Pra, çdo fshatar duhet të shkojë në degën doganore dhe të deklarojë se ka një kazan në të cilin prodhon raki. Më pas fermeri merr një autorizim dhe vetëm pas këtij veprimi do i lejohet të prodhojë raki. Çfarë ndodh në të kundërt? Gjobë. Neni 58 i ligjit të ministrit Bode parashikon qartë se Përdorimi i paautorizuar i kazanëve për distilim, qoftë dhe për përdorim vetjak, dënohet me gjobë në shumën 200 mijë lekë. Pra, kush kapet me kazan rakie të paregjistruar në degën doganore, merr 200 mijë lekë gjobë, pavarësisht nëse kazani është përdorur apo jo. Zbatimi i këtij ligji parashikohet të fillojë nga data 1 korrik.
Plotësimi i formularit
Në formular është përcaktuar që fshatari edhe mund ta marrë me qira kazanin. Në nenin e parë të autorizimit theksohet se përdoruesi mund të jetë një individ tjetër nga zotëruesi. Kështu që në rastin e regjistrimit duhet të shënohen të dy emrat, i atij që e ka në zotërim, pra pronarit të kazanit, dhe atij që po e përdor. Kazanin duhet ta regjistrojë përdoruesi, i cili shënon në fletën e formularit edhe llojin e bërsisë që do të përdorë për të zier rakinë. Pra, doganat duhet të informohen edhe për llojin e rakisë që do nxirret nga kazani. Në formularin e Bodes, fshatari duhet të plotësojë edhe sasinë e rakisë që do nxjerrë nga kazani. Ligji parashikon që deri në 100 litra, rakia e nxjerrë nga fshatari quhet për përdorim vetjak dhe nuk paguan akcizë. Për pjesën tjetër, dokumenti i ministrit të Financave parashikon se Çdo tejkalim i kësaj sasie, është subjekt i pagesës së akcizës sipas ligjit.

Nenet e ligjit dhe udhëzimit
Ligji për akcizën

Neni 58/ Fushat e zbatimit
Të gjithë përdoruesit e kazanëve të distilimit duhet të deklarojnë dhe të pajisen me autorizim përdorimi pranë autoriteteve doganore kompetente.
Neni 88 / Prodhimi klandestin i alkoolit dhe pijeve alkoolike
Në rast se në çastin e konstatimit gjenden vetëm pajisje ose pjesë të tyre të padeklaruara dhe të paverifikuara pa praninë e lëndëve të para, shkelësi dënohet me gjobë në shumën 200 mijë lekë.
Përdorimi i paautorizuar i kazanëve për distilim, qoftë dhe për përdorim vetjak, dënohet me gjobë në shumën 200 mijë lekë.
Udhëzimi
Neni 110 / Përjashtime dhe përkufizime
1. Për qëllime të nenit 58, pika 5 të ligjit, të gjithë përdoruesit e kazanëve të distilimit për prodhimin e produkteve alkoolike të destinuara ekskluzivisht për përdorim vetjak të familjarëve dhe miqve të tij, duhet të paraqiten pranë autoriteteve doganore me qëllim deklarimin e pajisjeve/kazanëve të distilimit. Forma e autorizimit jepet në aneksin 19 të këtij vendimi.

Reagimet nga Rakicka, vendlindja e Bodes

Rakickë, fisi dhe bashkëfshatarët: Bode gaboi me rakinë!
Banorët e fshatit Rakickë dolën kundër bashkëfshatarit të tyre, ministrit të Financave, Ridvan Bode, lidhur me ligjin e gjobave për kazanët e rakisë. Pas botimit të lajmit në gazetën Panorama, ata u shprehën të pakënaqur për taksën që do tu vihet fshatarëve, po aq sa edhe fabrikave, në rast se prodhojnë mbi 100 litra raki në shtëpi. Gjatë bisedave në vendlindjen e Bodes, bashkëfshatarët dhe farefisi i tij kundërshtuan hapur ligjin e ri të Financave, duke theksuar se një iniciativë e tillë do ti çonte ata drejt falimentimit të sigurt. Bode të kontrollojë alkoolin që i hyn e del pa doganë, siç ua do qejfi kontrabandistëve. Nuk po i rrënohet shteti me raki të bërë vetë, nëpër kazanët tanë. Iu këndua neni edhe rakisë, tha E. Ciko, njëri prej bashkëfshatarëve të Bodes, duke e quajtur krejtësisht të gabuar projektligjin e Financave. Ai u mbështet edhe nga banorët e tjerë, njëri prej të cilëve, Qemal Dule, u shpreh: Unë jam i mbaruar po të paguaj taksë. Nuk është normale me këtë krizë që ka ardhur tani. Nuk është njësoj si të paguash taksa si individ, si fshatar dhe të paguash taksa si biznes. Ne jemi të falimentuar. Për mua është vendim i gabuar, që do të na varfërojë deri në ekstrem. Këtij mendimi i është bashkangjitur edhe komshiu i ministrit të Financave, njëkohësisht kushëriri i tij, Hilmi Bode. Duke theksuar se projektligji i ri është i tepërt dhe nuk sjell zhvillim, por falimentim, fshatari Bode u tregua skeptik edhe ndaj gjobave. Ai do të vendosë gjoba? Ridvani eee, ja ku e kam ja, tha me ironi dhe skepticizëm ai, teksa tregonte me dorë dyert e shtëpisë së tij, përballë me vilën e ministrit Bode.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›