Bode paralajmëron shkurtime
Ministri i Financave paralajmëron shkurtime masive të shpenzimeve për pjesën e mbetur të vitit. Shkak janë të ardhurat e pamjaftueshme në buxhet nga tatimet dhe doganat, por edhe nga presioni ndërkombëtar. I gjendur në Kuvend për të dhënë shpjegime rreth vendimit të fundit të qeverisë për rritjen e pensioneve, kreu i Financave, Ridvan Bode, ka theksuar planin e ri të reduktimit të deficitit buxhetor në 3.5 për qind, nga rreth 5 për qind që është aktualisht. Ulja e deficitit do të kërkojë një shkurtim të shpenzimeve përtej nivelit 30 miliardë lekë të parashikuar në fillim të vitit, kur kriza dha efektet e implikimit.
Duke u përballur me kritikat e opozitës, rreth nivelit të borxhit, ministri tha se nga shkurtimi i shpenzimeve do të preken kryesisht projektet publike, të planifikuara për këtë vit.
Në ditën e djeshme të seancës plenare, ministri i Financave zhvilloi një “betejë” shifrash me opozitën, e cila vijon të jetë skeptike me të dhënat ekonomike që ofron qeveria.
Debati nisi me vendimin e qeverisë për të rritur pensionet, që sipas socialistëve është farsa ekonomike e radhës. “Janë 400 e ca mijë pensionistë, që marrin një rritje nga 210 lekë në 420 lekë. Për të njëjtët pensionistë, me vendimin e rritjes së çmimit të energjisë dhe ujit u keni marrë 3 mijë lekë”, u shpreh deputeti socialist, Erjon Braçe. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se kjo është rritja më e madhe e pensioneve. “Nuk ka pensionist që përfiton nën 10 mijë lekë rritje. Qindarkat Erioni t’i fusë në xhep”, tha Bode.
Borxhi publik dhe mënyra se si qeveria po administron paratë e përbashkëta të shqiptarëve kanë qenë një pikë tjetër ku palët kanë vijuar akuzat e ndërsjella. “Keni qeverisur tetë vjet. Keni marrë borxh për të rritur pagat dhe pensionet. Prej 6 vjetësh në këtë vend nuk është marrë asnjë qindarkë borxh për pagat”, tha Bode. Ministri i Financave lajmëroi se do ta ulë deficitin përmes shkurtimeve të buxhetit, që në pjesën dërrmuese prekin investimet. Por Braçe i propozoi qeverisë një variant tjetër se si mund t’i ulë shpenzimet dhe borxhin: thjesht duke ulur rrogën e Kryeministrit.
#