E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr në Parlament për ligjin që dublon KLSH, mazhoranca voton Inspektimin Financiar

Deputetët e opozitës kundër draftit, braktisin seancën pak minuta para votimit

Mazhoranca miratoi dje me 73 vota pro, ligjin për Inspektimin Financiar Publik. Votimi në Kuvend është zhvilluar pas largimit nga salla të deputetëve të opozitës të cilët deklaruan se do të mbajnë marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë.

Opozita është shprehur kundër ligjit për Inspektimin Financiar pasi sipas saj nuk janë zbatuar proceduarat. Sipas pretendimeve të opozitës është ligji është antikushtetues. Një tjetër pretendim ishte fakti se Komisioni i Ligjeve nuk mori në shqyrtim të gjithë draftin por vetëm disa pika të tij, duke shkelur kërkesat e përfaqësuesve të opozitës në këtë komision.  Ligji i Ministrisë së Financave i miratuar dje  parashikon që çdo njësi e qeverisjes së përgjithshme ku përfshihet qeverisja qendrore, vendore por dhe fonde speciale, çdo shoqëri tregtare publike, organizata publike jofitimprurëse, autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga njësi të qeverisjes së përgjithshme ose në të cilën një njësi e qeverisjes së përgjithshme zotëron apo kontrollon një pjesë të pasurisë, e cila i jep pronarit të drejtën e kontrollit, si dhe çdo njësi apo individ që përfiton fonde publike apo fonde në bazë të një marrëveshjen ndërkombëtare. Saktësohet se përgjegjësi kryesor për inspektimin financiar është ministri i Financave i cili përcakton dhe kriteret për përzgjedhjen e inspektorëve financiarë. Do të jetë po ministri që do të përcaktojë metodologjinë e inspektimeve. Autoriteti përgjegjës për fillimin e inspektimeve do të jetë nëpunësi i parë autorizues i cili e nis këtë procedurë vetëm pas një kërkese, apo ankese dhe jo me programe apo plane të paracaktuara.


Inspektimi
Për nisjen e inspektimit mund të shërbejnë raporte apo dokumente që vërtetojnë shkelje në menaxhimin financiar, raportet e menaxhimit dhe kontrollit financiar, raportet e auditit të brendshëm, raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kërkesat e Këshillit të Ministrave, kërkesat e ministrit të Financave, kërkesat nga titullarë dhe nëpunës autorizues të njësive publike si dhe kërkesa të bëra nga prokurori i Përgjithshëm. Për zbatimin e këtij  projektligji do të krijohet në Ministrinë e Financave dhe Drejtoria e Inspektimit Financiar publik e cila do të shqyrtojë kërkesat dhe ankesat përkatëse. Punonjësit e kësaj drejtorie do të jenë nëpunës civil dhe do të zgjidhjen në bazë të kritereve të ligjit Statusi i nëpunësit civil. Ligji parashikon dhe masat për shkelësit. Kështu në bazë të nenit 23 parashikohet që për çdo shkelje apo mospërmbushje të detyrimeve ligjore konsiderohet kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 40 000 deri në 70 000 lekë. Gjithashtu në rastet kur dokumentacioni vërteton kryerjen e një shkelje penale përcaktohet kryerja e kallëzimit penal tek organet e prokurorisë.


Ligji kontrollon fondet publike
Në këtë draft është parashikuar kontrolli i të gjitha fondeve publike përfshirë edhe fondet e Bashkimit Evropian, të cilat mblidhen, arkëtohen dhe mbahen shpërndahen apo shpenzohen nga njësitë e sektorit publik dhe qe përbëhen nga të ardhurat, shpenzimet kreditë dhe grantet për njësitë e sektorit publik. Në kontrollin e brendshëm janë përfshirë edhe proceset integrale të sistemit të menaxhimit financiar e të kontrollit si dhe i auditimit të brendshëm i vendosur nga titullari i njësisë publike, brenda objektivave të tij qeverisëse, për të ndihmuar në kryerjen e veprimtarisë publike në mënyrë të rregullt dhe eficente. Në projektligj është parashikuar edhe kontrolli i përgjegjshmërisë menaxheriale, sipas të cilës është parashikuar detyrimi i menaxherëve të njësive që në kryerjen e veprimtarisë respektojnë parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar, të ligjshmërisë e të transparencës në administrimin dhe të përgjigjen për veprimet e tyre. Llogaridhënia përfshin çështjet që lidhen me ndarjen e detyrave zhvillimin e menaxhimit financiar bashkërendimin dhe vlerësimin e raportimin për sistemet e menaxhimit financiar e të kontrollit. Llogaridhënia përfshin edhe përgjegjësinë për veprimet e kryera.

Misioni i KLSH
Rritja e rolit dhe kontributit në drejtim të mirëadministrimit të financave publike, nëpërmjet kryerjes së kontrolleve cilësore dhe raportimit mbi rregullshmërinë dhe efektivitetin e përdorimit të të gjitha burimeve financiare shtetërore, në të mirë të shtetit dhe publikut në tërësi. Garantimi i KLSH-së si një institucion kontrolli i pavarur, kompetent dhe objektiv, që i jep ndihmesë reale Kuvendit, ndërkohë edhe i besueshëm për rezultatet e kontrolleve e të rekomandimeve, të cilat duhet të vazhdojnë të pranohen për saktësinë dhe vërtetësinë e tyre, si nga organet legjislative, ekzekutive, të medias dhe publiku i gjerë.

Debati
Sherefedin Shehu:
Projektligji për inspektimin financiar publik synon forcimin e mëtejshëm të menahimit financiar në sektorin publik. Me anë të tij mundësohet krijimi i një sistemi që kontrollon dokumenton dhe përcakton përgjegjësitë dhe parregullsitë në kryerjen e transaksioneve dhe zbatimin e procesit të menaxhimit financiar. Ky shërbim do hap rrugën për cilësinë e shërbimit të auditit të brendshëm. Ligji i auditivit të brendshëm që është në fuqi është i standardeve bashkëkohore por dominimi te njerëzit i mentalitetit të vjetër të kontrolli dhe mungesa e shërbimit të inspektimit financiar kanë bërë që auditi mos jetë  i fokusuar sa duhet në vlerësimin e sistemit dhe propozimin e rrugëve për përmirësimin e tyre. Me miratimin shërbimi i auditivi ndahet nga ai i kontrollit dhe inspektimi. Shkeljet inspektohen në kohë. Ato nuk do të programohen më parë por në bazë të mbledhjeve të informacion dhe marrjes së një kërkese apo ankese.

Flamur Noka
Kemi diskutuar 4 ditë rresht, kanë bërë sugjerime dhe një pjesë e neneve është marrë në konsideratë. Kanë kërkuar vetëm a është marrë në konsideratë konsulenca e SIGMA. Në momentin që janë njohur me dokumentet kanë rëndë dakord dhe për arsye politike kanë thënë se nuk e votojmë kundër po e abstenojmë. Pasi kanë vajtur në selinë e partisë dhe kanë parë që inspektimi financiar detyron që kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe bashkia e Tiranës ti nënshtrohet këtij rregullo erdhën në mbledhje të komisionit dje dhe deklarata e bërë nga përfaqësuesja e PS është se ne jemi kundër se ai inspekton dhe pushtetin vendor.

Ridvan Bode
Ky projekt është diskutuar për rreth dy vite. Me institucionet ndërkombëtare. Diskutimi i gjatë Funksionet e kontrollit të brendshëm mbeteshin pa zgjidhje përfundimtare kemi ndërhyrë në ligjin e auditit për ti dhënë kompetenca inspektimi. Pas këtij kemi ndryshuar auditit për ti hequr kompetencat inspektimit. Vetëm raste keqmenazhimi ka inspektim. Nga një debat kot më kot, në një frikë kot më kot se vallë çdo kontrollohet kryetari i bashkisë. Dhe sot kontrollohet kryetari i Bashkisë, çdokush që përdor një fond publik kontrollohet.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›