Ndërtimorët dhe forcat speciale sprapsen në Hamallaj

Përleshje e dhunshme, gjak e të plagosur mes të dyja palëve në Hamallaj të Durrësit, ku është shënuar incidenti më i rëndë për këtë sezon prishjesh të ndërtimorëve të Bojaxhiut. Një situatë e acaruar konflikti është krijuar në Hamallaj të Durrësit në prag të operacionit të Inspektoratit Kombëtar Ndërtimor. Bllokimi i rrugës nga dhjetëra banorë dhe pronarë lokalesh e motelesh që janë hedhur në protestë për të ndalur prishjet, ka bërë që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të reagojnë dhe të përballen me protestuesit e lodhur nga pagjumësia dhe presioni për pronën dhe djersën e vënë në rrezik. Konfrontimi fizik mes banorëve dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që kanë qenë në mbështetje të operacionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë, ka çuar në plagosjen e dy punonjësve të FNSH-së, njëri prej të cilëve është goditur me gur në kokë dhe ka qenë në gjendje jo të mirë. Të plagosur ka pasur edhe mes protestuesve, të cilët kanë mbetur të gjakosur, ndonëse vetëm pak prej tyre i janë drejtuar qendrës shëndetësore dhe spitalit për të marrë ndihmën mjekësore. Banorët e lajmëruar për shkatërrimet bllokuan të gjitha rrugët që të çonin tek objektet e tyre. Fillimisht është tentuar të negociohet mes banorëve dhe inspektorëve ndërtimorë, por kur tonet janë ashpërsuar mes tyre dhe negociatat kanë dështuar, forcat policore kanë nisur sulmin për të larguar banorët dhe liruar rrugën. Përdorimi i gurëve, shkopinjve dhe bombave molotov, si dhe përleshjet trup me trup, kanë shkaktuar të plagosur. Gjithçka ka zgjatur për afro një çerek ore, ndërkohë që policia ka tentuar të ndërhyjë nga një tjetër rrugë.
Dhe atje ndeshi në banorë të irrituar, duke shpërndarë rrezen e konfliktit të dhunshëm mes palëve. Situata sa vinte dhe acarohej, gjë që ka bërë që shërbimet e policisë të tërhiqen dhe të nxitojnë të çojnë drejt spitalit efektivët e plagosur. Edhe pas tërheqjes së policisë dhe inspektorëve të ndërtimit, banorët protestues kanë vijuar të qëndrojnë mbi urën ku u konfliktuan dhunshëm me policinë për të penguar një kthim të mundshëm të tyre.
Burime nga spitali rajonal i Durrësit bënë të ditur se të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Pas trajtimit në këtë spital ata janë dërguar drejt kryeqytetit të shoqëruar nga policia lokale. Ngjarja e rënduar e ka lënë të heshtur zyrtarisht Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës. I vetmi koment i bërë në orët e para të paradites së djeshme ka qenë ai që përgënjeshtronte informacionet e para nga Hamallaj, që flisnin për përdorim armësh dhe të plagosur me armë zjarri.
Më tej policia durrsake ka heshtur në lidhje me situatën e krijuar në këtë zonë bregdetare të Durrësit, duke deklaruar se shërbimet e saj kanë qenë në prapavijë për mbështetjen e këtij operacioni të ndërmarrë nga ndërtimorët e strukturës qendrore. Rezistenca e banorëve dhe pronarëve të objekteve ka bërë që operacioni të mos nisë. Kreu i Inspektoratit Kombëtar Ndërtimor, Gjergji Bojaxhi, që ka qenë vetë në Hamallaj, pak orë pas konfliktit, ka deklaruar se prishjet do të shtyhen për në një kohë tjetër, atëherë kur situata të jetë qetësuar, por kthim prapa nuk do të ketë.
Aksioni i paralajmëruar ndeshi në kundërshtime të ashpra dhe banorët shprehen të vendosur se protesta e tyre do të vazhdojë deri në flijim, në mbrojtje të pronës dhe jetës së tyre. Pas ngjarjeve të djeshme është kërkuar nisja e hetimeve, ndërkohë që është synuar të merren dhe kasetat me filmime të realizuara nga operatori i “Top Channel” për Durrësin, që ka ndjekur për orë të tëra në vendin e ngjarjes organizimin e banorëve dhe përleshjen me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Në mbrëmje, forcat policore u shfaqën përsëri në Hamallaj, kësaj radhe jo për të mbështetur fadromat e Bojaxhiut, por për të vënë në pranga organizatorët e protestës së paradites. Furgonët e policisë kanë dalë nga fshati të mbushur me djem e burra, shtatë prej të cilëve janë mbajtur në qelitë e paraburgimit në Durrës, ndërsa të tjerët janë liruar pas verifikimeve.