E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode reagon ndaj PS: Privatizimi i INSIG –ut ishte transparent dhe i suksesshëm

Partia Socialiste dhe zyrtarë të saj të përfshirë nga ethet elektorale kanë nisur një fushatë shpifjesh ndaj Ministrisë së Financave dhe punës së saj. Objekt i sulmit të fundit ishte procesi i privatizimit të INSIG –ut, i cili është në fakt një nga proceset më transparente dhe më të suksesshme të privatizimeve strategjike të ndërmarra nga autoritetet zyrtare shqiptare, në një kohë kur e gjithë bota është përfshirë nga kriza financiare. 

Ministria e Financave, ndryshe nga c’pretendon Partia Socialiste ka kryer një proces transparent dhe të suksesshëm të privatizimit të INSIG –ut, i cili iu shit për 41 milion euro në total, kompanisë amerikane të sigurimeve American Reserve Life Insurance.

I gjithë procesi është konsultuar nga BNP Paribas, një kompani lider në ofrimin e shërbimeve financiare në botë si dhe nga dy aksionerët e tjerë të kompanisë INSIG,  BERZH –i dhe IFC –ja. 

Në një tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare KPMG për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitje kompania INSIG. 

Ndërkohë që  për sa i përket transparencës së procesit, theksojmë se i gjithë procesi i privatimit është shoqëruar me dalje publike të zyrtarëve të lartë të ministrisë së Financave në median shqiptare dhe në agjenci të huaja të lajmeve ku është publikuar fakti se fillimisht kanë paraqitur interes për privatizimin e INSIG –ut 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë. Ndërsa u parakualifikuan 8 kompani të cilat janë :

American Reserve Life Insurance, Croatia Osigurania, Sava Re, Grazer, Eurohold Insurance Group, Triglav, Fondaria Sai dhe Qatar Insurance Center.

Ndërkohë që procesi vijonte, për shkak të krizës financiare botërore në fazën finale të tij rikonfirmoi ofertën e saj për blerjen e INSIG –ut vetëm kompania amerikane American Reserve Life Insurance, e cila ofroi 6.4 milion euro mbi çmimin maksimal të vlerësuar nga KPMG ose 5.6 milion euro nga çmimi që kishte përcaktuar qeveria. 

Procesi është cilësuar i suksesshëm jo vetëm nga qeveria shqiptare por edhe nga FMN në deklaratën e fundit.   

Ndërkohë Ministria e Financave i kërkon PS dhe zyrtarëve të saj që në mungesë të një axhende politike të mos hedhin baltë mbi punën e saj me shpifje të pabazuara të cilat nuk i besojnë as vetë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›