Kryeministri Berisha u takua sot në Davos me Kryeministrin e Pakistanit Yousaf Raza Gilani
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Davos, ka zhvilluar dje një takim me Kryeministrin e Pakistanit, Syed Yousaf Raza Gilani.
Gjatë takimit, ku merrnin pjesë dhe disa ministra të qeverisë së Pakistanit, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Gilani u ndalën në potencialet e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht në nevojën e zgjerimit të tyre.
Kryeministri i Pakistanit Gilani shprehu vlerësimet e tij më të mira për zhvillimin dhe progresin ekonomik të Shqipërisë në vitet e fundit, si dhe në angazhimin e madh të qeverisë dhe sukseset në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend.
Kryeministri pakistanez shprehu vullnetin e madh të qeverisë së tij për të zgjeruar shkëmbimet mes dy vendeve, si ato midis delegacioneve të nivelit të lartë, ashtu edhe në fushën ekonomike.
Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin e Pakistanit me ecurinë e reformave të gjithanshme në vend, si dhe me arritjet e Shqipërisë në ekonomi dhe në fusha të tjera, duke theksuar se Shqipëria është një vend me shumë potenciale dhe burime natyrore dhe njerëzore, një vend përballë tregut të madh europian dhe që do të jetë shumë shpejt anëtar i NATO-s. Kryeministri theksoi se qeveria po ndërmerr hapa të mëdha për të krijuar një klimë biznesi sa më të ngrohtë. Investitorët pakistanezë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe do të kenë mbështetjen e qeverisë shqiptare.
Kryeministri Berisha nënvizoi se në vazhdën e hapave të qeverisë për një zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, së shpejti do të hapet në Islamabad përfaqësia diplomatike shqiptare.
Dy Kryeministrat diskutuan gjithashtu edhe për përpjekjet e përbashkëta të të dyja vendeve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Në takim u diskutua edhe për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, për të cilën Kryeministri pakistanez siguroi se qeveria e tij do të punojë seriozisht në këtë drejtim.
Kryeministri i Pakistanit shprehu kënaqësinë e tij për hapjen e misionit shqiptar në Islamabad, si dhe u shpreh se sapo axhenda e tij t’i japë mundësinë, do të vizitojë me kënaqësi Shqipërinë.
...