E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHËNIME PËR “SHËNIMET” E MITRUSH KUTELIT (I)

Jeunes hommes do t’i kishin quajtur, po të shëtisnin në Fushat Elizeje të Parisit, dy “burrat e rinj” që një mbasdite vjeshte të vitit 1939 barisnin poshtë e lart shëtitores së Tiranës: Mitrush Kuteli dhe Vangjo Nirvana. Ushtronin frëngjishten e tyre duke kuvenduar - për çfarë? - për kritikën letrare. Të dy të kthyer prej studimesh jashtë, të dëshiruar për t’u përfshirë në “botën e shkrimtarëve” të Shqipërisë, madje të dy me emra të rremë, i qanin sho-shokut hallet dhe zavallet e një kritike të mirëfilltë letrare në mjedisin shqiptar. I pari ia qortonte të dytit kritikën që nuk kishte “hejnë e bisturiut të kirurgut”, as “fshikullën e frazës luftarake”. “I kuptoj mirë të gjitha dhe të jap të drejtë, - ia priste i dyti, - por rroj në Shqipëri i lidhur këmb’ e duar bashkë e s’kam si bëj ndryshe. Ti je i lumtur që jeton jashtë...”. Nuk do të shkonte shumë dhe edhe vetë Kuteli, i kthyer për të punuar në atdhe, do ta përjetonte të marrët pjesë në “botën e shkrimtarëve”: “Në botën e shkrimtarëve (dhe veçanërisht në këtë botë!), ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht” e “me miq” në qoftë se i kritikove veprën ose, të paktën, të rri me kokë më nj’anë sepse nuk e lëvdove sa desh ay vetë”, kështu do ta përcaktonte asohere atë “botë”. Sot kur, në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, botohet thuajse i plotë opusi i tij kritik, nuk mund të mos kujtohen paradigma si kjo, të përshkruara prej tij vetë. Por sidomos nuk mund të shmangen pyetje, si:

Ç’janë Shënimet letrare të tij?

Përse ai kritikën e vet e ka quajtur rëndom “shënime”?

A mos vallë ishte i vetëdijshëm që akti kritik, në ballafaqim me letërsinë, nuk ishte veçse një akt parazitar?

Kam bindjen që po.

Krijimi letrar ishte për Mitrush Kutelin ligjërim shkalle së parë, ndërsa kritika nuk mund të mos mbetej ligjërim shkalle së dytë, sikurse emërtohen tanimë në teorinë e kritikës (më gjerë Fayolle: La critique littéraire, pass). Çfarë mund të thuhet me siguri është se ai e refuzonte një ligjërim shkalle së tretë, d.m.th. kritikën e kritikës, si kjo që do të rreket të bëjë shkruesi i këtyre radhëve në këto shënime përmbi Shënimet. Mirëpo radhëshkruesi do ta bëjë sepse, pavarësisht refuzimit të shkrimtarit, “kritika e kritikës” hyn në punë: njëherë për të shqyrtuar instrumentet e shtëna në punë prej çdo kritiku - jorrallë ato rezultojnë origjinale - dhe, mbas kësaj, për të dalluar nëse ato kanë ose jo të afta për ta kryer misionin e kritikës. Me të tjera fjalë: gjithmonë në funksion të misionit të kritikës, për të gjykuar vlerën e tyre si për kohën tonë, edhe për më tej kohës sonë. Veçan kur “kritika e kritikës” ushtrohet mbi një opus kritik si ai i shkrimtarit tonë: opus jo vetëm i keqbotuar, por edhe i keqtrajtuar, i keqinterpretuar më shpesh.   

Ç’shkolle ose ç’rryme të kritikës letrare i përket Kuteli?

Pyetje që bëhet rëndom për kritikët në zë.

Mirëpo në rastin e Kutelit ajo zë pisk.

Pikësëpari: Dhimitër Pasko, me pseudonim letrar kryesor Mitrush Kuteli, nuk ishte “kritik profesionist”. Nuk ishte as profesor universitar i ndonjë disipline të shkencës së letërsisë, as edhe mësues i thjeshtë letërsie. Dhe as redaktor i specializuar për kritikën i ndonjë enti botues ose magazine letrare. Studimet nuk i kishte kryer as për letra, as për filologji, as për filozofi. Për nga profesioni i mirëfilltë ishte ekonomist, i specializuar për çështje monetare e bankare, “doktor i shkencave ekonomike” (1934). Ua ka kujtuar këtë lexuesve, shtjellimisht, kur vihej të shkruante “një fjalë” për veprën e Izedin Jashar Kutrulisë dhe të Mitrush Kutelit, në të vërtetë dy vetje të tjera të tij: “Pikërisht mua, njeri me syze e me studime prozaike, m’u drejtuan këta dy shokë - Izedin Jashar Kutrulija dhe Mitrush Kuteli - t’u shkruaj një fjalë për këtë veprëzën e tyre të përbashkët. U thashë: miqt’ e mij (këtë shprehje e kam nga Lumo Skëndua) miqt’ e mij, ju i thoni vetes poet, unë ekonomist. Ju shkruani për ndjenja, unë për lëndë. Ane Shan, ane Bagdad! Ose: ane poezi, ane ekonomi...” (Sulm e Lotë, Tiranë 1944). Por, në të vërtetë, shkrimtari e njihte aforizmin klasik të njërit prej mësuesve të tij në kritikë, Émile Faguet-së, i cili tek Arti i të lexuarit (1923) i ndante “formimet” dysh: i pari që marrim në shkollë, i dyti që ia japim vetvetes; pa të parin, simbas tij, nuk bëjmë dot, porse ai që na vlen është vetëm i dyti.

Produkt i këtij paradoksi, zëri i tij kritik u afirmua me të shpejtë, nga 1928-a e këndej, në letrat shqipe të gjysmës së parë të shek. XX. Jemi në periudhën e lindjes së kritikës moderne në Shqipëri, kur në kulturën shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të atij shekulli mendimi teorik estetiko-kritik njihte hopin cilësor me Faik Konicën, mandej Gjergj Fishtën e ri etj. Edhe më i dallueshëm do të bëhej hopi në ndërkohën mes dy Luftërave. Pa qenë vendi për të numëruar këtu faktorët që kushtëzuan përhapjen e ideve estetike, si dhe imponimin e tyre në kulturën shqiptare të atyre dhjetëvjeçarëve, - janë faktorë të shumtë e të ndërlikuar, në mos edhe të implikuar me elemente kontradiktore që kanë ndikuar si në përhapjen, edhe në zgjerimin e ideve në fjalë, - të vërehet vetëm se brenda këtij hopi cilësor Kuteli do të ndahet në shenjë si kritik rendi të parë. Po t’i vihet veshi jo ndonjë admiruesi të tij, por një vlerëmohuesi si Krist Maloku, ai qysh në vitet ’30 shtrëngohej ta portretizonte Kutelin si “një njeri me karakter, me dije profunde, me zotsië literare, dhe me një famë sidokudo të gjanë, shkurt: një nga personalitetet me format internacional” (Maloki: A asht poet Lasgush Poradeci? 334).

Në kohën kur Kuteli hynte të merrte pjesë - më sak: të jepte pjesë - në kritikën letrare ajo kishte kaluar nëpër procesin e modernizimit, gjatë të gjysmës së dytë të shek. XIX. Njihet tanimë zhvillimi i këtij procesi (Më gjerë Wellek: A History of Modern Criticism 1750- 1950). Falë bashkëndihmës së personaliteteve kritikë që e tërhiqnin fort lexuesin, si Sainte-Beuve (1804-1869), De Sanctis (1817-1883), Taine (1828-1893), Lanson (1857-1934) etj., por edhe përfshirjes në kritikën letrare të një numri shkrimtarësh që u shkonte fjala në opinionin publik - Gautier (1811-1872), Baudelaire (1821-1867), Bourget (1852-1935) etj. - në kulturën europiane ndodhi, sepse nuk mund të mos ndodhte, degëzimi i kritikës nëpër sisteme të ndryshme. Përkatësisht edhe mbi parime të ndryshme që çdo sistem ia vinte vetes për themel. Veprat letrare kishin nisur e shqyrtoheshin prej këndvështrimesh nga më të larmishmet. Atëherë kritiku nisi e interesohej edhe për personalitetin e krijuesit të veprës, edhe për veprën si burim informacionesh të gjithfarshme, madje edhe për publikun si “element receptues”. Këta interesa ishin bërë shkas që problemet e metodologjisë së kritikës të vinin duke u zgjeruar edhe më: vetë kritika vështrohej tanimë si sistem korelativ që mund të hyjë në aleancë me fusha të tjera të dijeve humaniste ose me zona të tjera hulumtimi. Prej nga i qiste kritiku teknikat dhe, përkatësisht, argumentet për ç’i përket hulumtimit të veprës, të personalitetit të krijuesit, të kontekstit të saj të ekzistimit etj.? Prej një ame, sikurse është quajtur, ku puqeshin së toku sociologji, filozofi, psikologji, shkenca të natyrës etj. (Wellek: po aty): e fshehtë kjo që ndonjë mëtues “estetike së kulluar” - Maloku - nuk e dinte ose nuk pati dashur ta dinte kur ia zinte për të madhe Kutelit: “M. Kuteli përdor [...] fjalë dhe kaptime (notions, Begriffe) nga shkenca të ndryshme dhe heterogjene: nga filozofija, nga esthetika, nga metrika, nga filologija, nga theozofija, nga metapsyhika, nga fizika, nga teknika, nga gjeografija, nga psyhologija, nga ekonomija politike etj. etj.” (Maloki: po aty, 336). 

Që filozofia pozitiviste në kapërcyell të shekujve XIX-XX nxiti shndërrimin e kritikës në shkencë, kjo është e vërtetë. Por shndërrimi i kritikës në shkencë nuk e tjetërsoi bindjen e autoriteteve të saj se akti kritik është shprehje e shijes individuale, specifike për një personalitet, pra: akt që në mënyrë të natyrshme nuk mund të shkëputet nga vetja. Kritika letrare mbetej kështu subjektive në thelbin e vet, e anshme deri në kufijtë e një akti simpatie, në mos edhe antipatie. Duke refuzuar kritikën që e quante “të ftohtë dhe algjebrike”, që “kinse për të shpjeguar gjithçka, nuk ka as urrejtje as dashuri, dhe e zhvesh veten vetë nga çdofarë temperamenti”, Baudelaire-i shënonte te Sallon i 1846-s: “Sa për kritikën e mirëfilltë, shpresoj që filozofët do ta kuptojnë se çfarë do të them: për të qenë e drejtë, domethënë për të pasur të drejtën e ekzistimit, kritika duhet të jetë e anshme, e pasionuar, politike...” (Salon de 1846, 13). Në radhën e parë të atyre që e mbronin këtë pikëpamje, pavarësisht termave të ndryshëm, ishin afërmendsh shkrimtarët. Edhe një mendje racionaliste si Anatole France-i e përligjte karakterin subjektiv të kritikës. Por atë e mbështesnin, me të njëjtën vendosmëri, kritikë në zë me formim (pakashumë) të ndryshëm: një Sainte-Beuve, një Lemaître, një Faguet, një De Sanctis, deri edhe një Croce. Ndryshonin, ndoshta, motivimet që ata sillnin, por karakterin subjektiv të kritikës nuk e vinin në dyshim. Edhe më qartazi e shfaqnin atë ndërsa e ballafaqonin me historinë e letërsisë: ishte historiani i letërsisë ai që, simbas tyre, duhej të qe sa më objektiv, ngase ai kishte për detyrë të informonte dhe jo të thoshe se ç’përshtypje i ka bërë aksh autor e më the të thashë.

Produkt i këtyre zhvillimeve, mirëfilli europiane, qe në kritikën letrare Kuteli.

Se ç’shkolle ose ç’rryme të kritikës letrare ai i përket, mundet që përgjigjen ta ketë formuluar vetë ndërsa shkruante për njërin ndër shkrimtarët që e kishte për zemër: “Në perëndimin e trajtave tipike, të “shkollave”, të “rrymave”, të “sistemeve”, mund të vihet pyetja: Nga cila shkollë ose rrymë bën pjesë poeti Taras Shevçenko? Përgjigja është: Taras Shevçenko nuk ka lidhje me asnjë shkollë. Është prodhim i veçuar, specifik i një kombi”. Në këtë kuptim, për ç’i përket shkollës ose rrymës së kritikës letrare në të cilën Kuteli do të përfshihej, mund të pohohet që ai është eklektik: kanë pjesën e vet në “shënimet letrare” të tij shkollat impresioniste, kulturologjike, sociologjike, hera-herës edhe ajo psikologjike etj.; dallohen në këto “shënime” elemente të psikologjisë së artit, të estetikës, të sociologjisë letrare, madje të poetikës e të stilistikës, deri dhe të bibliografisë; te një kritik si ai akti fiton autoritet nëpërmjet argumenteve të huazuara prej burimesh informacioni nga më të lloj-llojshmet: sociologji, filozofi, ekonomi, histori, kulturë në tërësi. Shkurt fjala: ka lidhje idesh e parimesh, afilime dhe aderenca me shkolla të ndryshme, porse pa u përfshirë kryekëput në asnjërën syresh.

Vetë kritika u lind si nevojë për të përligjur të renë në krijimtarinë artistike, si dhe për ta mbështetur atë me argumente sa më të larmishme, pavarësisht prirjeve nga do të anonte ose teknikave të shqyrtimit që do të përdorte. Ajo u konceptua, qysh në lindjen e vet, si akt shpjegimi dhe çmimi i vlerave të reja (Fayolle: La critique littéraire, pass). Është fjala për një mision që nuk besohet të ketë ndryshuar as sot e gjithë ditën. Të rilexuara nga pikëpamja historike, edhe vetëm esetë kritike të Kutelit, - pavarësisht replikave kritike që ato patën shkaktuar në kohën e tyre, në mos po pikërisht falë atyre, - dëshmojnë që autori ta këtë pasur të formuar vetëdijen për misionin në fjalë. Të rrallë janë ata shkrimtarë, edhe ndër madhorët e letërsisë shqipe, që t’i jenë përgjigjur kaq drejtpërsëdrejti këtij misioni të parmë: përligjjes së të resë, mbështetjes së saj. Për të mos thënë që nganjëherë, bash mes shkrimtarësh madhorë të letërsisë sonë janë ndodhur asish që, për shkak vobektësie shpirtërore, ta kenë spikatur veten për të kundërtën: për përligjjen e mediokritetit dhe mbështetjen e tij, për vlerësimin e atyre “veprave” për të cilat Kuteli thoshte se janë të paracaktuara për “në raft e në pluhur”. Ose që i pret “lumi e gjumi”. Dorëmbrapshtë ngjajnë ata, edhe në ditën e sotme, të ballafaquar me Kutelin aq dorëmbarë.

Rasti i Kutelit kritik letrar na kujton se orientimi i kritikëve në jetën letrare ndërlikohet prej gjithfarë shkaqesh: që nga vetë koha e kufizuar për lexim e një kritiku (edhe e atij më fatlumit) deri te trazirat e përzgjedhjes (së natyrshme) aksiologjike, te trusnia rrethanore politike, te publiciteti në shoqërinë e konsumit, tek interesat komercialë, te manipulimi i çmimeve letrare etj. Mirëpo, pavarësisht këtyre ndërlikimeve, vlerat e vërteta vijnë e dalin sheshit, në kohë e sipër që padrejtësitë e shpeshta vjetore (recensione, akte publiciteti, çmime etj.) vijnë e korrigjohen. Dhe kjo pikërisht falë atyre kritikëve që marrin barrën e përgjegjësisë së të thënit po ose jo përkundrejt veprash të caktuara ose prirjesh të caktuara. Nëse Kuteli nuk do të kishte vepruar kështu me veprën e Fan S. Nolit, me atë të Lasgush Poradecit etj., si editor e kritik njëherësh, receptimi i tyre korrekt në letrat shqipe mund të ishte vonuar edhe më.

Në veçanti restituimi i veprave letrare shënohet për opusin e tij kritik si një kërkesë e vijueshme: kështu në këtë opus shkrimet e vjetra të letërsisë shqipe takohen oreçast me të rejat, athua se aty akti kritik brendashkruhet në një kohë të pafund.    

*   *   *

Në ditën e sotme, të debateve mbi politizimin dhe çpolitizimin e letërsisë - posaçërisht të aktit letrar - rileximi i opusit kritik të Kutelit do të rezultojë kërshëror.

A kanë qenë, vallë, apolitike shijet e tij letrare, sikundër rreken t’ia përshkruajnë ndonjëherë? Nga Shënimet e tij letrare përgjigjja merret e qartë: Noli “i tij” nuk është apolitik. As Eminescu “i tij”. Dhe as Shevçenko “i tij”. Aq më pak Gogoli “i tij”. Intuita prej shkrimtari ngjan ta ketë afruar atë gjithnjë më shumë ndaj kësaj të vërtete: Danteja nuk ishte apolitik, as Miltoni; nuk ishte apolitik Byroni, nuk ishte as Hugoi; dhe as një Bernard Show, as një Anatol France, as një Gabriel d’Annunzio, jo më një Maksim Gorki, për të përmendur vetëm shkrimtarë që hyjnë e dalin në shijet e tij. Modeli i artistit që nuk do t’ia dijë për raportin mes tiranie dhe lirie - dy nga nocionet politike që nxjerrin krye më dendur në fjalorin kritik të Kutelit -  nuk është për të modeli i parapëlqyer. Për të një artist i tillë rezulton gati mediokër, i pagjak: le të rilexohet parathënia për Frymët e vdekura, veçan faqet tek parathënësi përshkruan “shkrimtarët e përhimë”.

Nuk ka, pra, gjë për ta qortuar Kutelin as lidhur me qëndrimin e tij ndaj letërsisë “së re” sovjetike. Më sak: ruso-sovjetike. Padyshim që një pjesë mediokre të saj, - me gjithë gomaritë e njohura, - ai qe i shtrënguar ta përkthente për të siguruar “kafshatën e gojës”, d.m.th. mbijetesën. Por a numërohen në atë pjesë mediokre Tregimi i pyjeve i Paustovskit? Vërshimet e lumenjve po të tij? Te Përgjigjja në një anketë shkrimtari, më 1962, ai pohonte: “Në vjetet e njomë të rinisë, kur sapo kisha mësuar frëngjishten (në kohën e okupacionit frëng) nisa të lexoj shumë, por asnjë nga shkrimtarët e huaj nuk më ka bërë përshtypje më të madhe se sa Gogoli, sidomos me Taras Bulbën, Inspektorin dhe më vonë me Dikanjkën e tij. Po ashtu edhe Turgenjevi, Leonid Andrejevi. Përse pikërisht këta dhe jo francezët? Sepse jeta e romaneve franceze që më kishin rënë në dorë (ishin sidomos romane të salloneve të Parisit, qendra e gjithë letërsisë së Francës) nuk i ngjiste jetës sonë dhe njerëzit e tyre nuk u ngjisnin njerëzve tanë” (Përgjigje anketës së V. Balës, 8). Mirëpo në vitet kur ai pati qenë i detyruar të merrej me këtë letërsi “Rusia e vjetër” kishte vdekur: këtij realiteti faktesh nuk mund t’i ikej. Nuk i iku as Kuteli. Shembull: parathënia me titull domethënës Shkrimtari-luftëtar Nikollai Ostrovski dhe romani i tij “Si u kalit çeliku” (1965). Rezulton që Kuteli, qoftë edhe në veçimin me të cilin e patën rrethuar, ta kishte përkapur dukurinë. Në fund të fundit asgjë nuk provonte më mirë se kjo dukuri tezën e dashur për të, të formuluar në mënyra nga më të larmishmet: se asnjë letërsi nuk mund të jetojë e të rritet pa rrënjë në një shoqëri dhe në një popull të gjallë. “Rusia e vjetër” kishte vdekur. Letërsia që ushqehej me ujthin e saj, me realitetin e saj, nuk mund të lulëzonte më. E vetmja letërsi e mundshme ruse ishte ajo që, duke iu vënë në shërbim “Rusisë së re”, ushqehej me “jetën e re” ruse. Më mirë se çdo shkrimtar e kritik letrar shqiptar këtë e dinte ai: Kuteli që, i mbërthyer në uniformën e pluhurosur ushtarake, kishte qenë i shtrënguar të kalonte me ushtrinë gjermane nëpër Besarabi (Bukovinë), Ukrainë e nëpër “Bashkimin Sovjetik”, të hynte aty nëpër hatat vendase për të mësuar të lexonte në dritën e një kandili vaji poetët e saj të qëmoçëm, duke pirë raki panxhari me gota të mëdha.

Por, nëse shijet e tij letrare nuk patën qenë apolitike, refuzimi prej tij i apolitikës në letërsi nuk bën të vështrohet vetëm-e-vetëm si refuzim estetik. Është më së pari refuzim botëkuptimor. Për t’u vënë re: botëkuptimi (Weltanschauung) i një shkrimtari, kritiku dhe sidomos mendimtari si Mitrush Kuteli nuk ka qenë e mundur të shqyrtohet deri më sot. (Me këtë vështrim, të filozofisë gjermane, e ka përdorur vetë Kuteli nocionin “botëkuptim”, prej studimit Vëndet e largimit në këngët popullore shqipe (1933) deri te Një fjalë mbi dy shokë e mbi veprëzën e tyre (1944); mbas 1944-s nuk rezulton ta ketë përdorur më. Po me këtë vështrim e kanë përdorur nocionin në fjalë edhe mendimtarë të tjerë të viteve ’30-’40, për shembull Vangjel Koça: “Ndërsa më parë kjo luftë në mes të brezave kishte më tepër një karakter biologjik, sot ka marrë karakterin e një botëkuptimi (Weltanschauung) që i ndan brezat midis tyre”. Nirvana: Një problem i madh). Për të dalluar reperet e parme të një botëkuptimi si i tiji do të duheshin rilexuar jo vetëm Shënimet letrare të tij (1944), por edhe një varg shkrimesh polemike për kulturën, jetën sociale, ekonominë, madje politikën shqiptare, mbetur të hapërdara në shtypin e dhjetëvjeçarëve ’30-’40. Dhe ndoshta jo aq polemikat që ai kishte bërë mend t’i botonte në një vëllim veçan, Sulme letrare, se sa shkrimet e përmbledhura në vëllimin Shënime ekonomike, i shtypur, por i ndaluar të qarkullonte dhe i asgjësuar po më 1944. Vënë përbri me Shënimet ekonomike (simbas një ekzemplari shtypshkronje të shpëtuar që ruhet në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë), Shënimet letrare do të pësonin atëherë një lexim të ri.     

(vijon në nr. e ardhshëm)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›