E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: “Duhet të guxojmë kundër Holandës”

Nuk ka luajtur në takimet e fundit rregullisht me Sienën, por kjo nuk e pengon Erjon Bogdanin që të shfaqet i karikuar në prag të ndeshjes me Holandën më 11 tetor. Sulmuesi shqiptar është bashkuar në orët e pasdites me kombëtaren në rezidencën kuqezi "Hampshire Golfhotel", ndërkohë që pak orë më vonë ai nuk ka nguruar të flasë për "Panorama Sport" për këtë sfidë delikate që ka përpara. Bomberi shpreson që këtë herë kombëtarja të jetë më sulmuese dhe të provojë shanset e të mos bëjë gabimin që bëri ndaj Rumanisë, duke mos reaguar në momentin e duhur. Më tej, bomberi vlerëson kundërshtarët dhe shpreson të përfitojë nga problemet që kanë pasur së fundmi "Tulipanët".
Si është atmosfera në prag të këtij grumbullimi në kombëtaren shqiptare?
Sigurisht, unë kam vetëm pak që kam mbërritur në momentet që po flasim. Megjithatë, atmosfera është e mirë, ashtu si në prag të cdo takimi, ndonëse për momentin ende nuk kanë mbërritur që të gjithë. Pritja nga stafi kuqezi ka qenë mjaft e ngrohtë.
Jeni takuar me trajnerin Baric dhe cfarë biseduat së pari mes jush?
U takuam në momentin e mbërritjes, por nuk biseduam për futbollin. Thjesht u përshëndetëm dhe shkëmbyem dy fjalë për udhëtimin. Normalisht, kemi dhjetë ditë përpara, kështu që ka kohë për të diskutuar për punën dhe planin taktik apo gjëra të tjera të këtij lloji.
Sigurisht që është ende herët, por si e shikoni ju personalisht përballjen me Holandën, favoriten kryesore të grupit tonë?
Nuk diskutohet që është një ndeshje e vështirë, por mendoj se duhet ta luajmë takimin dhe të mos bëjmë ashtu si me Rumaninë, ku gjatë gjithë kohës pritëm, nuk sulmuam fort kundërshtarin dhe në fund pësuam dy gola, që nuk përligjnin lojën e zhvilluar në fushë. Unë them se duke u nisur edhe nga kontingjenti mjaft i mirë që ne kemi, është më mirë që ta luajmë ndeshjen dhe të mos i lëmë kundështarit frenat e lojës. Shpresojmë që të na shkojë mirë.
Me këtë doni të thoni ndaj Holandës kombëtarja shqiptare të shfaqet më sulmuese?
Pikërisht, ne kemi shumë lojtarë të mirë dhe mundësitë janë të gjitha, kështu që mendoj se duhet të guxojmë dhe të mos presim që shanset të na i japë vetëm kundërshtari, por t'i kërkojmë vetë. Mendoj se është më mirë që ta sulmojmë Holandën.
"Tulipanët" kanë pasur probleme së fundmi, teksa Van Bomel dhe Van Nistëlroi kanë refuzuar thirrjen e trajnerit Van Basten. Mendoni se këto probleme do të ndikojnë te kundërshtarët në këtë sfidë?
Shiko, Holanda ka shumë lojtarë të mirë dhe nëse nuk vjen dikush, ka gjithmonë të tjerë po kaq të aftë që ta zëvendësojnë atë. Kështu që nuk më duket një problem shumë i madh, megjithëse ne duhet të shfrytëzojmë sa më mirë dhe shpresojmë që kjo që po ndoh të ketë pasoja pozitive për Shqipërinë.
Mendoni se një humbje me Holandën do të kishte pasoja të rënda në skuadër për këto eliminatore të Evropianit?
Nuk di të them, është një ndeshje shumë e vështirë. Në futboll nuk i dihet asnjëherë, por është një ndeshje delikate. Holanda ka një ekip të mirë dhe janë favoritë kryesorë për të fituar vendin e parë, por ne do të japim impenjimin tonë maksimal në cdo ndeshje dhe më pas të shohim se deri ku mund të arrijmë.
A ka objektiva të qartë kombëtarja shqiptare në këtë takim, apo ndoshta futet si e humbur në fushë?
Objektiva kemi cdo ndeshje dhe ne luajmë për të fituar gjithmonë. Mirëpo, bëhet fjalë për ekipe të mëdha që kanë emër dhe që kanë lojtarë, kështu që dihet shkalla e vështirësisë. Pastaj të shohim se si do të shkojmë, fusha e lojës do t‘i tregojë më mirë vlerat tona.
Së fundmi, me kuqezinjtë është bashkuar edhe sulmuesi kosovar i Hamburgut, Besart Berisha. A e njihni dhe cfarë mendoni për afrimin e tij?
Në Itali nuk kam dëgjuar për të, por shpresoj që të japë edhe ai kontributin e tij për përfaqësuesen shqiptare dhe të kthehet në një lojtar të vlefshëm.
Fatjon Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›