Kuqezinjtë, në kërkim të një miqësore me ekipet lokale

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur dje zyrtarisht grumbullimin në tokën holandeze, ndërkohë që sot do të nisë zyrtarisht punën në fushë. Pothuajse dje të gjithë lojtarët janë vënë nën urdhrat e trajnerit Oto Baric, i cili duket se tashmë ka përveshur mirë mëngët. Kroati ka bërë të ditur se do t'i nënshtrojë lojtarët gjatë këtyre ditëve në një stërvitje intensive për të parë më mirë se cilët do të jenë ata që do të mund të zënë vendet e lëna bosh nga mungesat e Duros, Canës dhe Beqirit. Kuqezinjtë do të nisin që sot dy seanca stërvitore në kompleksin e hotelit ku është akomoduar kombëtarja, që duhet thënë se ka kushte me të vërtetë fantastike. Sa për informacion, hoteli ndodhet shumë pranë kufirit me Gjermaninë. Me skuadrën do të jetë edhe debutuesi Besart Berisha, i cili është bashkuar me skuadrën në një kohë rekord. Ndërkaq, mësohet se delegacioni shqiptar ka nisur kontaktet me federatën vendase për të siguruar një miqësore me një nga ekipet lokale të zonës. Për momentin nuk ka asnjë emër, por shumë shpejt Baric do të ketë në dispozicion një përballje. Takimi mund të zhvillohet në fundjavë, ose gjatë mesit të javës. Tekniku shpreson të provojë të gjithë lojtarët dhe të provojë skemat e mundshme që do të prëdorë më pas në sfidën me Holandën. Problemi kryesor mbetet mbrojtja, që shqetëson më shumë trajnerin dhe është pikërisht ky repart, aty ku kroati duhet të ndërhyjë për të riparuar problemet që kanë lindur. Përflitet edhe për një aktivizim të Ervin Bulkut në ndeshjen e 11 tetorit, pasi mesfushori i Tiranës mund të zëvendësojë Lorik Canën e skualifikuar. Bulku do të vëzhgohet me kujdes gjatë këtyre ditëve dhe më pas stafi teknik do të vendosë për të.
F. Kodra