E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: “Kundër Suedisë, si ndaj Portugalisë e Danimarkës”Sulmuesi kryesor i Kombetares: "Ndeshjaështë shumë e vështirë, megjithatë Shqipëria nuk ka se çfarë të humbë me Suedinë"

Publikoje ne:

Erjon Bogdani do të bashkohet vetëm të mërkurën me Kombëtaren në grumbullimin kësaj të fundit në Gjermani, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Suedisë, pasi klubi i tij në Itali, Kievo Verona, ka kërkuar lejen e mirëkuptimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për ta mbajtur edhe një ditë më shumë “Princin e Epirit”.

“Ndeshja është shumë e vështirë, megjithatë Shqipëria nuk ka se çfarë të humbë me Suedinë. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira me Portugalinë e Danimarkën në Tiranë. Megjithatë, unë them se përballja me Suedinë është një ndeshje shumë e vështirë. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv dhe të ruajmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive”, - tha për televizionin  “Vizion Plus” sulmuesi i Kievos, autor i 12 golave në 52 ndeshje me përfaqësuesen.

Bogdani pohoi se atij personalisht nuk intereson lufta e “brendshme”  e tre të “mëdhave”: Danimarkë, Suedi e Portugali, për një vend në finalet e Botërorit të Afrikës së Jugut.

“Nuk më intereson se kush do të kualifikohet, Danimarka, Suedia apo Portugalia. Unë jam lojtar i Shqipërisë dhe dua të luaj sa më mirë për ekipin tim. Kjo nuk diskutohet. Nëse do të më jepet mundësia të shënoj gol, as mos e vini në dyshim që do ta realizoj”, - tha golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në këto eliminatore, 3 gola, dy prej të cilëve kundër Portugalisë e Danimarkës 

Bogdani po kalon një fillimsezoni të mirë me Kievon në Serinë A, ku ka shënuar edhe një gol kundër Xhenoas. Sa do të ndikojë forma e tij në dobi të skuadrës.

“Është e vërtetë që po kaloj një moment të mirë, dhe shpresoj ta ndihmoj skuadrën. Gjithsesi, e përsëris se kundër Suedisë është një ndeshje shumë e vështirë. Duhet të japim maksimumin. Duhet të luajmë siç kemi luajtur me Portugalinë dhe Danimarkën. Suedia duhet ta fitojë me çdo kusht ndeshjen tonë dhe duhet të luajë sa më mirë kundër nesh”, - përfundoi Bogdani, një nga katër sulmuesit e thirrur nga trajneri Josip Kuzhe për ndeshjen kundër Suedisë, takimi i fundit i Shqipërisë për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010.


Numri i klikimeve - 899
  E Marte, 06 Tetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›