E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Punësimi, përparësia më madhore për PD

13-05-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike reagoi ndaj deklaratave të kreut të PS, Edi Rama

Partia Demokratike reagoi ndaj deklaratave të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke theksuar politikat e PD për krijimin e një klime të favorshme për bizneset dhe punësimin.
Një një deklaratë për shtyp, nga selia blu deputeti Gerti Bogdani, deklaroi se punësimi është përparësia më madhore për Partinë Demokratike, duke i cilësuar deklaratat e kryetarit të PS-së Edi Rama për biznesin, demagogji.  “Asnjë parti nuk ka ndihmuar më shumë se Partia Demokratike për krijimin e një klime të favorshme, ku bizneset të rriten dhe të shtojnë më shumë punëtorë dhe askush nuk është më i rrezikshëm për biznesin se Edi Rama”, theksoi Bogdani.
Deputeti i PD, Bogdani vuri në dukje se me kandidimin në Vlorë, Rama i fshihet të kaluarës së tij, kur dyfishoi taksat si kryebashkiak i Tiranës. “Qytetarët e kuptojnë se duke ia mbathur nga Tirana, Rama po ia mbath së kaluarës së tij shkatërrimtare ndaj bizneseve, me përjashtim të atyre të Koço Kokëdhimës. Dhe qytetarët e kuptojnë se Rama po përpiqet të fshehë planin e tij të rrezikshëm për rritjen e taksave, i cili do të krijonte papunësi, duke u bërë kështu macja e zezë e biznesit”, nënvizoi Bogdani.  Sipas deputetit demokrat, shqiptarët meritojnë me tepër se Edi Rama teksa shtoi se për këtë arsye PD ka taksa më të ulëta dhe klimë më të mirë për biznesin. Sipas Bogdanit, dy javë me parë Komisioni Evropian vlerëson Shqipërinë si një nga 4 vendet në Europë me rritje ekonomike dhe këto ditë Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim në raportin e saj thekson se Shqipëria këtë vit do ketë rritje më të madhe ekonomike se sa vitin e kaluar.  “Qytetarët e dinë se meritojnë më mirë se Edi Rama. Prandaj Sali Berisha dhe Partia Demokratike kanë një qasje ndryshe me rezultate konkrete. Taksa të ulëta dhe klimë më të mirë për të hapur, operuar dhe rritur bizneset në mënyrë që ato të punësojnë më shumë punëtorë", nënvizoi Bogdani, duke sjellë në vëmendje politikat e ndjekura nga maxhoranca gjatë qeverisjes për klimën e favorshme të biznesit dhe punësimin. “Ne kemi shkurtuar kohën e regjistrimit të biznesit nga 40 ditë në një orë, kemi hequr 2/3 e licencave”, theksoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›