E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama futi në koalicion partinë e Dritan Dajtit e Arben Frrokut

TIRANË- “Edi Rama nuk mund të flasë për krimin mbasi në prokurori të vendeve mike, por edhe atë shqiptare ekzistojnë kilometra biseda të tij që faktojnë lidhjen e tij me Aldo Baren, Hakmarrjen për Drejtësi, banda dhe kriminelë të rrezikshëm”, deklaroi sot deputeti i PD-së, Gert Bogdani, në reagim të deklaratave të kryesocialistit Rama, gjatë prezantimit të programit

Në deklaratën për mediat, Bogdani tha se "nuk mund të flasë për rendin dhe krimin Z. Edi Rama, mbasi vetëm pak ditë më parë ai futi në koalicionin e tij partinë e Dritan Dajtit, vrasësin e katër oficerëve të Policisë së Shtetit, partinë e Arben Frrokut që ekzekutoi komisarin Dritan Lame, partinë e Indrit Dokles dhe kriminelëve të tjerë".

Deputeti demokrat tha se “shqiptarët tashmë e kanë të qartë se rendin nuk mund ta vendosë një njeri i lidhur kokë e këmbë me krimin, vrasësit dhe trafikantët. Rendin nuk mund ta vendosë një dhunues i çekulibruar, që është i qetë vetëm kur ulet në tavolinë me kriminelë, ose kur ndermjetësit e çdo aleance të re që bën janë kontrabandistë”.

Bogdani shtoi se shqiptarët e dinë shumë mirë që Z. Rama dhe kupola e Partisë së tij nuk mund të flasin për krimin dhe luftën kundër kriminalitetit, sepse ata janë të lidhur fund e krye me krimin, kontrabandën, trafiqet.

“Partia Demokratike do të vazhdojë punën për t’i ardhur në ndihmë policisë tonë në luftën kundër krimit dhe me reformat që ndërmerr do t’i japë atij përgjigjen që meriton”, përfundoi deklaratën për mediat deputeti i PD-së.

Një ditë më parë, Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë prezantimit të programit për Rendin dhe Sigurinë, deklaroi se “Një shtet, një polici” do të jetë motoja e programit të PS-së, pas 23 qershorit, duke premtuar ristrukturim e asaj që ai e quajti ‘forcë e goditjes së shtetit’.
"Pas 23 qershorit do të ristrukturojmë forcën e goditjes së shtetit në funksion të paprekshmërisë së individit duke e ngarkuar policinë e shtetit të bëjë atë rol që nuk e bën, rol që e kanë marrë të fortët dhe qytetarët”, është shprehur Rama.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›