Bogdani, Xhenoa jep 3 milionë euro

Xhenoa në sulm frontal për të bërë të sajin sulmuesin e Sienës, Erjon Bogdanin. Klubi i drejtuar nga presidenti Preciozi ka bërë tashmë publike ofertën e tij në shumën 3 milionë euro, një shumë e kënaqshme për klubin bardhezi të Sienës. Xhenoa militon në Serinë B të kampionatit italian të futbollit, ku pritet që në sezonin e ardshëm të luajnë edhe skuadrat më të mëdha italianë si Juventus, Milan e Lacio.
Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja italiane "Il Secolo XIX", që i referohet burimeve zyrtare nga klubi i Xhenoas. Edhe vetë Bogdani, autor i 11 golave gjatë 34 ndeshjeve me fanelën e Sienës gjatë edicionit të kaluar, ka pranuar se oferta e skuadrës së drejtuar nga Preciozi ishte shumë e leverdisshme, madje shumë më e mirë se ajo c'ka i ofronte Siena apo Kievo e Udineze. Nëse Bogdani do të luante për Xhenoan ky do të ishte klubi i tij i pestë në Italia, pas Rexhinës, Salernitanës, Veronës dhe Sienës. 29-vjecari Erjon Bogdani gjatë karrierës së tij futbollistike ka zhvilluar 276 ndeshje, ndërkohë që rrjetën e ka gjetur 77 herë (0.27 gola për ndeshje). Bogdani, që në Shqipëri ka luajtur me Partizanin, ka luajtur edhe dy sezone në Kroaci (NK Zagreb) dhe një sezon në Turqi (Genclerbirligi).
Franc Hoxha