Bogdani, goli, sinjal për kombëtaren

Pikërisht në një takim miqësor të luajtur ndaj skuadrës së të rinjve të Kievo Veronës, bomberi i përfaqësues kuqezi ka shënuar një gol. Takimi ka përfunduar me rezultatin 2-0 në favor të skuadrës së Bogdanit me shokë.
Ky gol në miqësore ka ardhur si një sinjal për dy trajnerët e tij, Iakini te Kievo dhe Ari Han te kombëtarja. Për teknikun e skuadrës italiane, është një mesazh për t’i dhënë më shumë hapësirë në takimet e ardhshme, edhe pse tashmë është e njohur publikisht se shqiptari nuk është në preferencat e Iakinit.
Ndërsa sinjali për trajnerin Ari Han vjen në një moment kur trajneri mund ta vlerësojë formën e shqiptarit vetëm nëpërmjet minutave të pakta aktivizimi në takimet e Serisë A.
Bogdani është në listën e të grumbulluarve nga trajneri holandez për dy ndeshjet ndaj Hungarisë dhe Portugalisë, më 11 dhe 15 tetor.