Dorëhiqet zëvendëstrajneri i kombëtares, De Jong

Ndihmëstrajneri i Ari Han në kombëtaren e Shqipërisë, holandezi tjetër Teo de Gong, është larguar nga posti i tij në përfaqësuesen kuqezi. Që prej më shumë se një muaji ai është bërë zbulues talentesh për skuadrën holandeze të Vilhemimit II.
Një gjë e tillë ka bërë që De Jong t’i japë fund kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit, nëpërmjet së cilës ai ushtronte detyrën e zëvendësit të Han në pankinën kuqezi.
Ka qenë vetë FSHF-ja ajo që ka bërë të ditur dje zyrtarisht se ka qenë dëshira e ndihmësit holandez për të hequr dorë nga ky post. De Jong ka qenë krahu i djathtë i trajnerit Han, edhe në disa skuadra të tjera.
Për sa i përket pasuesit të tij, ai mbetet ende një enigmë. Gjithçka pritet të vendosë pas një takimi që trajneri Han do të ketë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka në Hungari. Por problem mbetet fakti se ndihmësi që do të përzgjidhet do të paguhet për punë “part-time”.