E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: PD të propozojë e para si do dalim në zgjedhje

 

Partia Republikane kërkon nga partia më e madhe e koalicionit, PD-ja, që të propozojë ajo e para mënyrën se si do të veprojë koalicioni në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetari i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo, tha dje në një konferencë për shtyp se, vetëm pasi PD-ja të propozojë variantin e saj, atëherë të gjitha forcat politike do të shohin se cili propozim do të jetë në favor të tyre. “Deri tani, Partia Demokratike ka thënë se është e hapur për çdolloj propozimi. Por unë mendoj se ajo vetë duhet të sqarojë më mirë idetë e saj, të thotë si e mendon këtë koalicion dhe pastaj të tjerët të bëjnë llogaritë e tyre dhe të thonë nëse u leverdis apo jo, në ç’mënyrë duhet të bashkëpunojmë për të dalë së bashku në zgjedhje. Janë disa forma që mund të ndiqen, por të tëra duhet të diskutohen dhe të precizohen më mirë”, theksoi Godo. Sipas tij, “mungon deri tani qartësia. Thuhet se në shtator do të ketë zhvillime. Mendoj se nuk duhet të shtyhet për më gjatë, siç ka ndodhur herë tjetër, që gjithmonë është menduar se kemi kohë përpara. Pastaj ndodhemi befasisht në zgjedhje të papërgatitur. Ajo të çon në humbje”. Godo shton se, koalicioni duhet të funksionojë si një i tërë dhe më pas të vlerësohet pesha e secilës forcë politike. “Duhet të jetë një koalicion që të dalë së bashku në zgjedhje, por secila parti të qëndrojë më vete për sa i takon numrit të votave që merr, në mënyrë që të merret vesh se ç’peshë zë çdo parti, cilat janë pretendimet e saj në raport me koalicionin dhe me ç’gjuhë duhet të flasë me elektoratin e vet”, theksoi Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›