Pas luftës Rusi-Gjeorgji
Zeno Jahaj
Ende pa u mbyllur mirë dhjetëvjeçari i parë i shekullit të ri e në më pak se njëzet vjet nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, pikërisht kur botës i pëlqen të nanuriset me idenë se globalizmi iu dha fund luftërave klasike dhe se luftërat e këtij shekulli do të jenë – në rastin më të keq – luftëra kundër Terrorizmit apo rreziqeve “asimetrike”, përkundër kësaj euforie, trashëguesja e ish-Bashkimit Sovjetik, Rusia, pa patur nevojë për aleatë, as për hipokrizi, pa pyetur (mbase) as për të tjerë, vetëshpall e kryen agresion kundër një shteti tjetër sovran. Në kulmin e iluzioneve, pikërisht atëherë kur do të duhet ta lexonim mirë profecinë e Kryekomandantit të Ushtrisë Franceze të viteve të Luftës së Parë Botërore, Mareshalit Ferdinand Foch, i cili, me trishtim, do ta vlerësonte kështu Traktatin e Paqes të Versajës, që u nënshkrua për ta përfunduar atë Luftë, madje për t’u dhënë fund të gjitha luftërave: “Kjo nuk është paqe, por një armëpushim për njëzet vjet”.
Gjeorgjia, një vështrim gjeostrategjik
Gjeorgjia është një vend që i ka provuar të gjitha: ndikimin disashekullor romak, dominimin alternativ nga Persët, Arabët, Turqit e Mongolët dhe e thithur nga Perandoria Ruse në shekullin e 19-të e, më tej, nga ish-Bashkimi Sovjetik qysh nga viti 1921. Popullsia e Gjeorgjisë përbëhet nga 70% gjeorgjianë dhe pjesa tjetër armenë, rusë, turq, azerbajxhanë, osetë, abkhazë etj. Fakti që minoritetet apo grupet etnike janë të lidhura me vendet mëmë fqinjë, ku zgjidhjet kombëtare janë ende larg vlerave demokratike, përbën një nga burimet e konflikteve të brendshme e të jashtme. Rajonet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut mbeten jashtë kontrollit të qeverisë qendrore. Ato qeverisen, de fakto, nga qeveri të paligjshme, të mbështetura nga Rusia, e cila, jo vetëm historikisht, por edhe aktualisht, vijon të mbajë nën kontroll shumëfijesh të dy rajonet, jo vetëm me batalionet speciale paqeruajtëse… Ende rreth 20% e kufirit ujor e tokësor të vendit, brenda të cilit përfshihen shumë nyje e segmente strategjike, është objekt mosmarrëveshjesh të pazgjidhura me Rusinë. Kufiri me Armeninë mbetet gjithashtu një çështje e pazgjidhur e, po kështu, ka ende mosmarrëveshje me Azerbajxhanin për rregullimet përfundimtare në disa pika kyçe kufitare.
Vendi ka pasuri të mëdha ujore që i kapërcejnë mbi 7-8 herë nevojat e ekonomisë e të popullit, duke kontrolluar njëherësh pjesën dërmuese të prurjeve ujore për vendet e tjera të rajonit, të cilat vuajnë e, pse jo, ndoshta edhe mund të konfliktohen pikërisht për varfërinë e ujit. Falë kësaj pozite të lakmueshme, ekonomia e Gjeorgjisë, vitet e fundit ka shënuar rritjen më të fuqishme të GDP-së në raport me të gjitha vendet e tjera të rajonit: 12% në vitin 2007, duke ndjellur një fluks të lartë investimesh të huaja. Aktualisht, të ardhurat për frymë arrijnë rreth 5000 dollarë, nivel ky thuajse i krahasuar me vendet më të përparuara ish-komuniste. Ndërtimi i naftësjellësve Baku-T’bilisi-Ceyhan, Baku-T’bilisi-Erzerum dhe hekurudhës Kars-Akhalkalaki, përbëjnë investime me rëndësi strategjike, jo vetëm në nivel kombëtar e rajonal, por në përmasa kontinentale, duke rritur së tepërmi rolin e Gjeorgjisë si pikë tranziti për gazin, naftën e mallra të tjera strategjike. Përparime të dukshme janë arritur në reformat e ekonomisë së tregut e të demokratizimit të jetës së vendit, duke e orientuar atë përkrah vlerave e institucioneve perëndimore, NATO-n e organizma të tjera mbarëdemokratike. Ushtria prej rreth 18.000 trupash e Gjeorgjisë është konsideruar si më e mirëstërvitura në rajon.
7 Gusht 2008. Kronika e luftës
Gjatë natës së të enjtes, 7 gusht, forcat ushtarake të Republikës së Gjeorgjisë marshuan përgjatë kufijve të Osetisë Jugore, me synim rivendosjen e qeverisjes së ligjshme në kryeqytetin e kësaj krahine autonome, Tskhinvali, që është ngjitur me kufirin. Forcat gjeorgjiane, me gjithë luftimet e ashpra, nuk arritën ta merrnin as kryeqytetin, as pjesë të tjera të Osetisë Jugore.
Në mëngjesin e datës 8 gusht, forcat ruse hyjnë në Osetinë Jugore, duke përdorur këmbësorinë e mekanizuar e të motorizuar, të shoqëruar nga forcat ajrore. Duke gjykuar nga shpejtësia me të cilën u kundërpërgjigjën rusët - brenda vetëm disa orësh nga inkursioni gjeorgjian, duket se e prisnin këtë inkursion dhe, për këtë arsye, ishin vendosur me kohë në “vija kundërgoditjeje”. Kundërgoditja ishte planifikuar me shumë kujdes dhe po me atë kujdes e plotshmëri u zbatua. Brenda 48 orëve, rusët arritën të thyenin forcat kryesore gjeorgjiane, duke i detyruar të tërhiqeshin. Të dielën më 10 gusht, forcat ruse morën plotësisht nën kontroll Osetinë Jugore. Në datën 11 gusht, rusët nisën ofensivën edhe në rajone të tjera të Gjeorgjisë, me qëllim prerjen e rrugëve të komunikacionit midis kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilis, me portet në Detin e Zi. Ndërkaq, forcat ruse bombarduan aerodromet ushtarake në Marneuli dhe Vaziani, duke verbuar njëherësh radarët në aeroportin ndërkombëtar të Tbilisit. Përmes këtyre manovrave, forcat ruse arritën afro 40 milje në afërsi të kryeqytetit Tbilis, duke i bërë thuajse të pamundura përforcimet apo rifurnizimet për forcat gjeorgjiane.
Zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes
Nga këndvështrimi i SHBA dhe i Evropës, Revolucioni Portokalli në Ukrainë ishte një triumf i demokracisë dhe, tërthorazi, rritje e ndikimit Perëndimor. Ndërkohë, këndvështrimi rus është që revolucioni portokalli në Ukrainë u sajua nga Perëndimi për të tërhequr Ukrainën në NATO dhe për të vijuar më tej rrethimin strategjik të Rusisë. Rusët gjykuan se pranimi i Ukrainës në strukturat e NATO-s përfaqëson një rrezik themelor për sigurinë kombëtare të Rusisë. Kur në Samitin e fundit të NATO-s u hodh ideja e një partneriteti më të gjerë, jo vetëm me Ukrainën, por edhe me Gjeorgjinë për t’i afruar akoma më tepër me NATO-n e, këtë të fundit drejt Kaukazit, atëherë Rusia e lexoi këtë si synim për rrethimin dhe shpërbërjen e Rusisë. Veprimin tjetër të SHBA dhe të Evropës për të mbështetur ndarjen e Kosovës nga Serbia, Rusia e sheh jo thjeshtë nga këndvështrimi i afërsisë sllavo-ortodokse me Serbinë, por nën ankthin e komprometimit të parimit të pranuar nga Evropa qysh me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore për mosndryshim kufijsh. Nëse ky parim do të shkelej në Kosovë, atëherë do të hapej kutia e Pandorës, rajone të tëra do të kërkonin pavarësi nga Rusia e, rrjedhimisht, do të krijohej një efekt domino i ndryshimit të kufijve. Ajo çfarë ndodhi në Ukrainë iu krijoi rusëve bindjen se SHBA ishte angazhuar në një plan për t’i krijuar Rusisë një rrethim strategjik. Nga ajo çka ndodhi në Kosovë, rusët nxorën përfundimin se SHBA dhe Evropa nuk ishin të përgatitura për të respektuar dëshirat e Rusisë. Sipas rusëve, me Kosovën u arrit “pika e ngopjes” dhe se nuk ishte më koha për diplomaci, por për përgjigje me forcë. Përgjigjja u gjet, erdhi, u sajua, apo të dyja bashkë, por e rëndësishme është që ajo u dha atje ku letrat i luan vetëm, ose pothuajse vetëm Rusia: në Osetinë Jugore, d.m.th, në Gjeorgji. Moska u motivua kësisoj duke u përgjigjur “jek e jek” për Kosovën. Nëse Kosova do të shpallej e pavarur nën sponsorizimin perëndimor, siç është tashmë rasti, atëherë edhe Abkhazia e Osetia Jugore mund të bënin të njëjtën gjë nën sponsorizimin rus. Nëse do të kishte ndonjë kundërshtim nga SHBA apo Evropa, atëherë kjo do të quhej hipokrizi, gjë që i intereson politikës ruse. Është për këtë arsye që Presidenti post Putin, Medvedev, në përfundim të konfliktit në Osetinë Jugore u shpreh: “Pas asaj që ndodhi, ka pak gjasa që banorët e Osetisë së Jugut e të Abkhazisë të mund të jetojnë së bashku me gjeorgjianët”.
Ringjallja e Perandorisë Ruse
Dikur, ish-Presidenti dhe sot Kryeministër i Rusisë pat thënë: “Shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik do të krijonte një situatë, në të cilën siguria kombëtare e Rusisë do të kërcënohej nga interesat Perëndimore”, duke sjellë si shembull që Shën Petërburgun, gjatë Luftës së Ftohtë ishte rreth 1.200 milje larg nga çdo vend i NATO-s, kurse sot ai është vetëm 60 milje larg tyre. “Shthurja e ish-BS e la Rusinë të rrethuar nga një grup vendesh armiqësore ndaj interesave ruse dhe në një gjendje të tillë që, këto interesa do të mund të ndikoheshin ndjeshëm nga SHBA, Evropa e madje edhe nga Kina”. Gjithsesi, Putin nuk është aq jashtë kohës sa të kërkojë të riinstalojë ish-Bashkimin Sovjetik. Por ai dëshiron, megjithatë të ringjallë sferën ruse të influencës në rajonin e ish-Bashkimit Sovjetik. Për ta arritur këtë, atij i duhet të riinstalojë e të ringjallë kredibilitetin e ushtrisë ruse, si një forcë luftarake, së paku në kontekst rajonal. Më tej, atij i duhet t’i “vërtetojë” botës se garantët Perëndimorë, përfshi NATO-n, duhet ta llogarisë mirë fuqinë ruse. Ai nuk dëshiron të përballet drejtpërsëdrejti me NATO-n, por ai dëshiron të përballet dhe të thyejë një fuqi që është ngushtësisht e lidhur dhe e rreshtuar në krah të SHBA-së, që ka mbështetjen, ndihmën dhe këshilltarët e SHBA-së, që duket botërisht se është nën mburojën amerikane. Gjeorgjia ishte rasti i përsosur për t’i treguar këta dhëmbë. Duke invaduar Gjeorgjinë, siç realisht e arriti në mënyrë kompetente, Putini ia arriti të riinstalojë kredibilitetin e ushtrisë ruse. Por ç’është akoma më e rëndësishme, duke bërë këtë, Putini zbuloi një sekret të hapur: Për aq sa SHBA i ka lidhur duart e këmbët në Lindjen e Mesme, po në atë shkallë vihet në dyshim mundësia e garancisë amerikane. “Vëmendja iu tërhiqet” sidomos ukrainasve, balltikëve, aziatikëve qendrorë e më tej, polakëve e çekëve: nëse do të pranojnë instalimin e mbrojtjes kundërraketë nga SHBA, atëherë Rusia u kujton këtyre vendeve se “ky hap rrit rrezikun, jo sigurinë e tyre”. Rusët e dinin se SHBA-ja do ta denonconin agresionin e tyre mbi Gjeorgjinë, por loja tashmë luhet për rusët: Sa më shumë që kundërshtohet vetëm me fjalë ky agresion dhe sa më pak me vepra, aq më shumë zë vend synimi për të vënë në dyshim garancinë amerikane. Nisur nga mentaliteti i tregtarit dhe jo i vlerave mbarëdemokratike, rusët përllogarisin se për SHBA, Lindja e Mesme është shumë më tepër e rëndësishme sesa Kaukazet, kurse Irani është veçanërisht i rëndësishëm. Për këtë arsye, ata llogarisin që SHBA të kufizojë seriozisht përgjigjen në Gjeorgji për të mënjanuar rrezikun rus kundër në çështjen “Irani”.
Rrjedhime gjeopolitike
Kaukazi i Jugut është një korridor kyç strategjik midis Evropës dhe Azisë Qendrore për tregtinë ndërkombëtare. Në thelb, interesimi i Rusisë të diktojë lëvizjen e lirë të mallrave përmes korridorit rus (naftësjellësit rus Baku – Novosimbirsk) gjë që do ta rriste akoma më tepër varësinë e Evropës nga Rusia. Për këtë arsye që Rusia është, më së shumti, e interesuar të nxisë destabilizimin radikal të rajonit për të bllokuar alternativat e rrugëve të energjisë nga Azia Qendrore dhe baseni Kaspik për në Perëndim. Gjeorgjia është kyç për eksportin e burimeve të Kaspikut dhe pjesërisht edhe të burimeve energjetike të Azerbajxhanit në drejtim të Perëndimit. Nuk është e rastit që, një nga reagimet e para pas luftës Rusi-Gjeorgji ishte ai i Azerbajxhanit, i cili vendosi të mos lejojë më transport nafte përmes porteve gjeorgjiane. Interesi rus është të vihet në pikëpyetje kredibiliteti i Gjeorgjisë, duke shpresuar që vendet evropiane, anëtarë të Aleancës të mos pranojnë të zgjerojnë mbrojtjen kolektive deri te një vend, i cili është në marrëdhënie të acaruara dhe me probleme të pazgjidhura me një fuqi të madhe imperiale të rajonit. Përveç kësaj, jo vetëm Gjermania, por edhe vende të tjera po bëhen gjithnjë e më të varura nga furnizimet ruse me naftë e gaz. Është për këtë arsye që shumë nga vendet anëtare të NATO-s “ngrinë” qëndrimin e tyre ndaj propozimit për t’i ofruar Gjeorgjisë Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP) në Samitin e fundit të NATO-s në Bukuresht. Në këtë kuadër, duket se lufta midis Rusisë dhe Gjeorgjisë u shndërrua në një test për unitetin brendapërbrenda BE-së apo NATO-s, si dhe për efektivitetin e këtyre dy organizmave për të trajtuar e menaxhuar kriza me aktorë të mëdhenj jashtë kufijve të mbrojtjes kolektive.
*Kolonel në Rezervë, ish-Atashe Ushtarak