Bogdani ndihmon Cesenan nga bankina

“Më erdhi një top nga Ceccarelli. Unë më pas shkova drejt portës, por mbrojtësi më pengoi. Ishte penallti e pastër, por edhe Moretti do të duhej të ndëshkohej me karton të kuq”, deklaroi ‘Bogu’ për “Il Corriere di Romagna”.
Edhe pse nuk po luan rregullisht, 34 vjeçari ndihet i gatshëm, sa herë që thirret nga trajneri. “E kam nisur ndeshjen nga bankina dhe kam hyrë në momentin e duhur. Nuk është e lehtë të hysh gjatë lojës dhe të jesh gati. Por, shkoi gjithçka mirë. Ndihem i gatshëm dhe po punoj gjithmonë me angazhim maksimal, për ta vënë në vështirësi trajnerin. Sa më mirë që luaj, aq më shumë do ma japë rastin ai”, vazhdoi përfaqësuesi shqiptar.
Bogdani kërkon nga shokët që ta vazhdojnë nivelin e lojërave të shfaqura ndaj Bolognës e Genoas, të cilët ia shtuan sadopak gjasat për mbijetesë ekipin bardh e zi.
“Po ngritemi, por rruga është ende e gjatë. Fitoret ndaj Bolognas dhe Genoas na dhanë kurajo, por tash na presin tri ndeshje të vështira ndaj Juventusit, Palermos e Interit. Për të mbijetuar, na pret një punë e vështirë. Në Torino duhet të luajmë njëjtë si me Genoan”, nënvizoi Bogdani, i cili në fund theksoi se ndihet mjaft mirë kur luan përkrah rumunit, Adrian Mutu.