Bogdani, nuk ka shenja përmirësimi
Erjon Bogdani nuk po jep asnjë shenjë përmirësimi. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vazhdon të stërvitet i diferencuar për shkak të problemit muskulor që po e shqetëson prej kohësh. Sipas të gjitha gjasave, 31-vjeçari nuk do të luajë në sfidën e së shtunës, ku Kievo pret në fushën e saj Romën. "Problemet muskulore të sulmuesit shqiptar do ta detyrojnë që mos të jetë në dispozicion të trajnerit Di Karlo për ndeshjen e radhës", theksuan burime pranë klubit veronez. Në takimin e fundit ndërmjet dy skuadrave, të zhvilluar më 28 shkurt 2007, që përfundoi në barazim 2-2, Bogdani ka shënuar golin e parë në portën e verdhekuqve. Megjithatë, ai kujtim duket i largët, edhe sepse për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme, kuqeziu ka humbur pjesën më të madhe të ndeshjeve në Serinë A. Ende nuk mund të thuhet me siguri, as nëse lojtari do të arrijë formën maksimale në vitin 2009. Ky është një shqetësim më shumë për Kombëtaren, për eliminatoren e 11 shkurtit kundër Maltës.