E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani nuk ndihet "plak": Kam shumë uri për gola

Ndoshta ky mund të jetë sezoni i fundit për Erjon Bogdanin te Kievo. Kontrata e sulmuesit të Kombëtares shqiptare me klubin veronez skadon në qershor 2010, por ai shpreson që të përsërisë paraqitjet e javëve të fundit në kampionatin e kaluar. Ky do të jetë edicioni i tretë me fanellën verdheblu dhe sezoni i dhjetë në Serinë A italiane. Por, "Er-bomber" i ka idetë e qarta: "Jam i përqendruar vetëm te Kievo. Të luaj në nivele të larta gjatë këtij sezoni, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë". Verën e ardhshme gjithçka mund të ndryshojë, megjithatë kërkon të jetë i përqendruar. Edicioni i ri do të jetë shumë i rëndësishëm dhe nga paraqitjet me Kievon do të varet edhe karriera e 32-vjeçarit. "Nuk ndihem aspak plak. Kam ende shumë dëshirë për të luajtur futboll dhe uri për të shënuar gola. Mund të vazhdoj të përfaqësohem në nivele të larta. Natyrisht me Kievon", tha ai. "Çfarë mendoj për të ardhmen? Shpresoj që edhe këtë vit të jem protagonist në sukseset e skuadrës sime. Kam ende kohë që të jap kontributin për verdheblutë".

Ashtu si tani, edhe në fillim të sezonit të kaluar, Bogdani duhej të luftonte për të fituar një fanellë titullari. Qëndrimi i gjatë në stol nuk e demoralizoi, përkundrazi, shqiptari ishte i gatshëm në momentin e duhur dhe me golin që realizoi në portën e Lacios ndryshoi rrjedhën e kampionatit për klubin nga Verona. "Është e vërtetë. Isha në krizë dhe situata bëhej më e vështirë pas çdo jave që kalonte. Më pas ndryshoi gjithçka. Megjithatë, një gol nuk mjafton. Duhet të shënoj më tepër", nënvijëzoi sulmuesi. "Gjatë sezonit të kaluar mbijetuam, sepse të gjithë morën përgjegjësitë e tyre në momentin kur skuadra kishte më shumë nevojë. Në javët e fundit shpalosëm forcën e madhe të skuadrës sonë. U ngjitëm shumë shpejt, ishin të pakta ekipet rivale që arritën të mbanin ritmin tonë. Shpresoj të përsërisim të njëjtat paraqitje. Kievo ka kualitete dhe i krijoi vështirësi Romës, Juventusit, Interit e Xhenoas. Kontingjenti nuk ka ndryshuar shumë dhe mendoj se do të realizojmë gjëra të mira".

Edhe pse është i përqendruar vetëm te Kievo, herë pas here nuk mungojnë zërat e merkatos, për interesime nga ekipe të tjera. Më e fundit që e ka përfshirë Bogdanin në listën e dëshirave ishte Bari. "Më bëhet qejfi që disa skuadra vazhdojnë të më kërkojnë. Kjo do të thotë se ata e vlerësojnë lojën time. Por, unë i kam idetë e qarta: do të vazhdoj të jem pjesë e Kievos, nuk iku prej këtu. Edhe në momentet më të vështira kam shpresuar gjithmonë se do të më jepej shansi të ndihmoja skuadrën... këtë kam arritur ta bëj në fushën e lojës", përfundoi lojtari.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›