E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urtësisht, pa bërë asgjë

Ǒpo ndodh në Iran? Në sipërfaqe, shteti i është kthyer normalitetit. Demonstratat janë rralluar dhe me shpejtësi janë shpërndarë. Por nën këtë qetësi ka një aktivitet intensiv dhe fillim të një opozite politike. Gjatë javëve të kaluara, Mir Hossein Mousavi, kandidati që zyrtarisht humbi në zgjedhjet presidenciale të qershorit, e ka paralajmëruar qëllimin e tij për të krijuar një "lëvizje sociale të një shkalle të gjerë", për ta kundërshtuar qeverinë dhe për të bërë presion për një sistem më të hapur politik.

Mohammad Khatami, ish-presidenti reformist, ka bërë thirrje për një referendum mbi qeverinë. Një tjetër ish-president i fuqishëm, Ali Akbar Hashemi Rafsanjani, e ka kritikuar mënyrën se si e ka ballafaquar regjimi "krizën" e zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve. Të tre kanë kërkuar lirimin e politikanëve dhe gazetarëve të burgosur, gjatë muajit të kaluar dhe që po mbahen pa akuza (ndër ta, edhe Maziar Bahari, korrespondenti i ‘Newsweek‘ për Teheranin, i cili është qytetar kanadez dhe regjisor dokumentarësh, i njohur ndërkombëtarisht).

E pikërisht këta të tre nuk janë disidentë në një vend të shkretë. Në mesin e tyre, të tre burrat kanë qenë në majë të pushtetit në Republikën Islamike. Më goditëse ka qenë revolta e klerikëve. Irani ka vetëm disa ajatollahë të mëdhenj, rangu më i lartë në rendin klerik shiit. Disa e kanë përkrahur publikisht Presidentin Mahmud Ahmadinexhad. Në të njëjtën kohë, sipas faqes së internetit të ‘Teheran Bureau‘, gjashtë ajatollahë të mëdhenj e kanë kritikuar publikisht regjimin. Javën e kaluar, njëri prej tyre lëshoi një fatva (vendim religjioz), duke deklaruar se ishte e duhur të bojkotohej inaugurimi i Ahmadinexhadit si President. Ai gjithashtu në mënyrë direkte e kritikoi Udhëheqësin Suprem të këtij shteti, Ajatollah Ali Khamenein. Veprimet e klerikëve e theksojnë një lëvizje të pushtetit në Iran larg nga institucionet religjioze dhe drejt ushtrisë.

Ahmadinexhadi e përfaqëson këtë ndryshim, duke qenë një laik, një veteran i luftës Iran-Irak dhe një njeri me lidhje të afërta me Gardat Revolucionare, ushtria paralele e krijuar nga Ajatollah Ruhollah Khomeini, për shkak se nuk u besonte oficerëve të Shahut. Gjatë kohës së tij në pushtet, Ahmadinexhadi i ka mbajtur fondet shtetërore larg fondacioneve religjioze, të dominuara nga klerikët dhe i ka drejtuar nga ushtria e Garda. Lëvizja nga mullahët drejt ushtrisë ka qenë disi e mjegulluar për shkak të rolit që ka luajtur Khamenei, si pjesë e të dy kampeve. Ai është, natyrisht, një klerik, por ai gjithmonë ka qenë afër Gardave Revolucionare dhe e ka kultivuar përkrahjen e tyre.

Ahmadinexhadi, sidoqoftë, qartazi nuk është me institucionin klerik. Ai, madje, e ka kundërshtuar Khamenein, përkrahësin e tij kryesor, duke refuzuar fillimisht të tërheqë zgjedhjen e tij për zv/president, pavarësisht nga kundërshtimet e Udhëheqësit Suprem. Teksa është e vështirë të dihet saktësisht se ç‘reflekton mosmarrëveshja mes Khameneit dhe Ahmadinexhadit, sigurisht është një shenjë e një elite sunduese, e cila vazhdimisht e më shumë po ndahet.

Hiperbola në Amerikë dhe Izrael rreth mullahëve apokaliptikë me armë nukleare e shpërfilli tregimin e madh në Iran, që ishte se "mullahët nuk ishin apokaliptikë", dhe se, "sido që të jetë, ndikimi i tyre po zbehej". Dikush mund të ketë thënë se Republika Islamike e Iranit është duke e humbur bazën e dalluar religjioze dhe po bëhet edhe një tjetër diktaturë e Lindjes së Mesme, veç faktit se tani e ka një lëvizje opozitare, që nuk duket se është gati të heshtë. Ǒdo të thotë kjo trazirë për Uashingtonin dhe marrëdhëniet e botës me Iranin? Qartazi, negociimin me Iranin e bën pothuajse të pamundur në këtë moment. Çfarëdo bisedash me Ahmadinexhadin do të konfirmonin legjitimitetin e një regjimi që e ka humbur në vendin e tij. Dhe çfarëdo pajtimesh që do të arriheshin gjatë bisedave me një regjim, i cili në mënyrë taktike po kërkon legjitimitet, mundet lehtë të vërtetohen se janë të përkohshme.

Strategjia më e mirë është të mos bëhet asgjë. Hilari Klinton e bëri këtë, kur e përjashtoi mundësinë e negociimit me Iranin. Në fakt, sidoqoftë, topi është në fushën e Iranit. Në prill, Perëndimi i ofroi Iranit biseda që do të ishin serioze dhe bujare. Lëreni Khamenein dhe Ahmadinexhadin të vendosin se si do të përgjigjen, teksa vazhdimisht e më shumë po bëjnë atë që ata duan. Perëndimi përballet me shumë vështirësi, por udhëheqësit e Iranit përballen me edhe më shumë. Disa argumentojnë se kjo gjë e afron Iranin edhe më afër bombës. Por mënyra më e mirë për ta zvogëluar këtë kërcënim, i cili ende nuk është i afërt, gjithmonë ka qenë vendosmëria dhe përmbajtja, një politikë, e cila funksionoi kundër Stalinit dhe Maos dhe funksionon kundër Koresë Veriore, një regjim shumë i paqëndrueshëm dhe bizar.

Sërish, sekretarja Klinton, me të drejtë, paraqiti një politikë të tillë javë më parë (për shkak të ofrimit të një ombrelle nukleare, Izraeli e kritikoi SHBA-në, një shenjë e marrëdhënieve të dobëta të qeverisë së Izraelit me Uashingtonin). Koha nuk është në anën e regjimit të tanishëm iranian. Mes të gjithë këtij konfuzioni, ne kemi një përgjigje të qartë ndaj një problemi kyç. Gjithmonë kemi pyetur: a ka njerëz të moderuar në Iran? Del se po. Madje me miliona.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›