Bolonja e "xhindosur" me Taçin
Tërheqja në momentin e fundit nga blerja e 80 për qind të aksioneve të Bolonjës, ka bërë që në qytetin italian të gjithë të jenë të "xhindosur" me Rezart Taçin. Tifozët e shihnin biznesmenin shqiptar, i cili premtoi investime të fuqishme në merkato, si shpëtimtarin e klubit kuqeblu. Po ashtu edhe stafi teknik dhe lojtarët, megjithatë në fund gjithçka rezultoi një "flluskë sapuni" dhe tashmë mbetet vetëm shija e hidhur. "Mund të konfirmoj se marrëveshja e arritur pak ditë më parë me pronarët e Bolonjës nuk u bë efektive. Në këto momente nuk mund t‘i bëj publike detajet për këtë vendim", deklaroi 38-vjeçari. "Gjithsesi vazhdojmë të mbetemi të interesuar për të investuar në futbollin italian. Shpresoj që në këtë sezon të jem i pranishëm në Serinë A". Pavarësisht rezervimit të Taçit nga Italia janë zbuluar detajet e para që sollën prishjen e akordit. Pronari Renco Menarini dhe presidentja Françeska, pas takimit me drejtorin e përgjithshëm Riçi deklaruan: "Nesër (sot) ose pasnesër (nesër) do t‘ju vëmë në dijeni për gjithçka që ndodhi". Pas komunikimit për prishjen e marrëveshjes, kompania "Aktivia" publikoi edhe mesazhin telefonik të palës shqiptare: "Në ditën e parashikuar për mbylljen e marrëveshjes, mora vendimin që të mos i përfundoj procedurat për blerjen e aksioneve të Bolonjës. Ju përshëndes". Arsyet lënë shumë vend për dyshime, por sipas të përditshmes "Corriere della Sera", manjati i naftës nuk e ka gjetur akordin me pronarët e klubit për çmimin e aksioneve. Pas shqyrtimeve paraprake të bilanceve, Taçi ka ofruar 15 milionë euro, ndërsa familja Menarini pretendonte 22. Ai kërkoi që pronarët e Bolonjës t‘i bënin ulje çmimi dhe kjo i ka dhënë fund çdo lloj bisedimi për ndryshimin e pronësisë.