Bogdani, objektiv i Modenës

Erjon Bogdani mund të largohet nga Cesena gjatë janarit. Sulmuesi shqiptar nuk po gjen hapësira tek ekipi bardhezi, kështu që edhe vetë ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të largohet gjatë dimrit nga skuadra e Arrigonit.
Për të, interesimi i skuadrave nuk mungon. Sipas mediave italiane, skuadra e fundit që ia ka vënë syrin përfaqësuesit shqiptar është Modena, nga Serie B. Ditë më parë, për ‘Bogun’ interesim kishte shfaqur edhe ekipi tjetër nga liga e dytë italiane, Varese.
Ndërkohë, mediat italiane spekulonin se Bogdani mund të përfundonte edhe në Atalanta, si shkëmbim me sulmuesin Tiribocchi. Sidoqoftë, gjithçka do të dihet në muajin janar, kur edhe fillon afati kalimtar dimëror. Mirëpo, ka gjasa të mëdha që sulmuesi shqiptar ta ndërrojë mjedisin, pas një viti e gjysmë të kaluar te Cesena.