Ronaldo golat, Messi titujt

Në mbarë botën nuk ekzistojnë dy futbollistë të cilët në vitet e fundit janë krahasuar më shpesh sesa ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo dhe ai i Barcelonës, Lionel Messi, e sidomos prej transferimit të portugezit në Santiago Bernabeu më 2009.
Ronaldo gjatë këtij viti kalendarik ka zhvilluar gjithsej 60 ndeshje, për gjigantin madrilen dhe reprezentacionin e Portugalisë. Shënoi 60 gola. Kurse, rivali i tij nga Barcelona, argjentinasi Lionel Messi ka realizuar 59 gola në 70 ndeshje.
Edhe pse Ronaldo gjatë vitit 2011 arriti bilanc të jashtëzakonshëm sa i përket numrit të golave të shënuar - nuk është vështirë të nxirret një mesatare prej një goli në çdo ndeshje – në këtë kategori totali i argjentinasit nga Nou Campi është pak më i dobët.
Por, Messi ka regjistruar 28 asistime, 11 më tepër se rivali i tij kryesor në shkallën individuale. Në fund të fundit, kategoria më e rëndësishme është ajo e titujve dhe këtu Messi e ‘nokauton’ Ronaldon, pasi me Barcelonën ka triumfuar në pesë gara gjatë këtij viti që ngadalë jemi duke e lënë pas, i fundit prej të cilëve disa javë më parë në Kampionatin botëror të klubeve në Japoni.
Kurse, Ronaldo me Real Madridin rrëmbeu vetëm një titull, atë të Copa del Rey në fund të sezonit të kaluar. Ronaldo, në paraqitjet e tij gjatë vitit 2011 në La Liga ka realizuar 43 gola në 34 ndeshje. Atyre ai ua shtoi edhe 12 asistime.
Në ndeshjet e Kupës bëri 7 paraqitje dhe shënoi pesë gola, kurse në Ligën e Kampionëve zhvilloi dhjetë takime dhe i përmbylli me bilanc prej pesë golave dhe katër asistimeve. Me fanellën e Portugalisë, në nëntë përballje shënoi shtatë herë dhe bëri një asistim.
Në total luajti 60 ndeshje, shënoi 60 gola dhe bëri 17 asistime. Kurse, Messi në 36 ndeshjet e tij të këtij viti në La Liga shënoi 31 gola me 16 asistime. Në paraqitjet e tij në Kupë, mori pjesë në 10 duele dhe në to realizoi 12 herë, kurse asistoi në katër gola.
Në Ligën e Kampionëve, argjentinasi shënoi 12 gola në 11 ndeshje si dhe bëri pesë asistime. Bilancin më të dobët e ka me reprezentacionin e Argjentinës ku shënoi katër gola dhe asistoi tri herë në 13 ndeshje. Në total, Messi gjatë vitit 2011 zhvilloi 70 ndeshje dhe shënoi 59 gola me 28 asistime.